Qeveria e Kosovës | Foto: KALLXO.com

Qeveria Nuk e Mohon Një Vizitë Zyrtare të Kryeministrit Malazez

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje në Bruksel ka pasur takime bilaterale me homologët e tij nga rajoni, përfshirë këtu edhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Pas këtij takimi po flitet për një vizitë të mundshme zyrtare në muajin janar të Markoviqit në Kosovë, mirëpo Zyra e Kryeministrit ani pse nuk e pranon këtë, as nuk e mohon duke thënë se çdo vizitë zyrtare e burrështetasve është e mirëseardhur.

“Çdo vizite zyrtare e burrështetasve dhe në çdo kohë, në Republikën e Kosovës është e mirëseardhur”, ka thënë për rtv21.tv, Halil Matoshi, këshilltar për media i kryeministrit Haradinaj.

I pyetur nëse vizita do të realizohet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, Matoshi tha se janë të gatshëm për të diskutuar për të gjitha çështjet e hapura.

“Kosova është e hapur për të gjithë e sidomos me fqinjët, me të cilët diskuton për të gjitha çështjet e hapura. Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe në këtë frymë do të vazhdojë edhe në të ardhmen sepse proceset integruese euroatlantike janë të pakthyeshme. Pra në ketë dritë duhet pa edhe raportet me Podgoricën zyrtare”, përfundoi Matoshi, shkruan rtv21.tv.

Në praninë e ndërkombëtareve, Prishtina dhe Podgorica kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin.

Kjo Marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Në Prishtinë, ka pikëpamje të ndryshme rreth kësaj Marrëveshjeje, e cila më zëshëm është kundërshtuar, mirëpo Bashkimi Europian u ka bërë të qartë institucioneve të Kosovës se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi mbetet kusht për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës./21Media