Sejdi Hoxha, në mes, kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës

Posta Ankohet se Është Përjashtuar nga Shpërndarja e Ndihmës Sociale

Tenderi  për shpërndarjen e ndihmës sociale,  i shpallur nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, me 15 dhjetor të këtij viti, ka ngjallur reagime dhe dyshime tek ndërmarrja publike Posta e Kosovës.

Kryshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se tenderi i hapur nga Ministria është diskriminues, pasi që sipas tij në kushtet dhe kriteret që janë të parapara në dosjen e tenderit, është përjashtuar Posta e Kosovës, si i vetmi operator publik.

Sipas tyre në këtë njoftim për  kontratë, kërkohet që operatorët që kanë të drejtë të marrin pjesë, të kenë licencë të cilat lëshohen vetëm për bankat.

Ai tha se për ta kryer këtë  shërbim, Posta e Kosovës e  ka interpretimin nga Banka Qendrore e Kosvës, për kryerjen e shërbimeve financiare jobankare.

“… për ne edhe më shqetësuese është fakti se Ministria e ka përjashtuar Postën e Kosovës, duke ju dhënë hapësirë vetëm bankave që të konkurrojnë për ta kryer këtë shërbim, dhe ne mendojmë se është shkelur Prokurimi Publik”, tha Hoxha.

Sipas tij, për këtë tender, Posta ka qenë në negociata me Ministrinë qe dy vite, por që një gjë e tillë nuk është bërë.

Ai tha se edhe nënshkrimi i marrëveshjes, i cili ka qenë i paraparë në maj të këtij viti, është anuluar nga Ministria vetëm një orë më herët, pa ndonjë shpjegim.

Sipas Hoxhës, një kontratë të tillë e kanë të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në këtë tender të shpallur në faqen e Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik, ku kërkohet kapaciteti teknik dhe profesional, thuhet se operatori ekonomik që aplikon për këtë tender duhet të ketë licencë nga BQK dhe që të jetë i regjistruar si institucion financiar bankar.

Në kritere gjithashtu kërkohet një deklaratë me shkrim që operatori ekonomik i mbulon të gjitha komunat e Republikës së Kosovës nga institucioni bankar.

Në ato komuna ku nuk ka qasje, nga operatori kërkohet të ketë një  marrëveshje me ndonjë  institucion bankar të licencuar nga BQK.

Por sipas Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi, nëse  Posta konsideron se janë të  diskriminuar, atëherë mund te bëjnë ankese tek institucionet kompetente qe merren me ketë pune.

“Ne jemi të obliguar që në procedurat e tenderimit të ofrojmë trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë që merren me ketë veprimtari”, tha Bytyqi.

Ai për KALLXO.com tha se marrëveshja në atë kohë nuk është nënshkruar për arsye se ka pasur dilema lidhur me atë se a i plotëson Posta kushtet që kanë të bëjnë me sigurinë e mjeteve financiare.

“Për më tepër, tenderi është i hapur dhe të gjithë operatorët ekonomikë që kanë licenca nga BQK për kryerjen e shërbimeve te pagesave dhe plotësojnë kriteret e paraqitura në tender, mund të aplikojnë, kurse do të zgjidhet ai operator i cili ofron kushtet më të mira”, tha Bytyqi.

Por një gjë të tillë, Hoxha e quajti absurde.

Sipas tij, Posta e Kosovës gjatë një viti ka qarkullim rreth 80 milionë euro.

Gjithashtu sipas Sejdi Hoxhës, vlera e më pashme e kësaj kontrate ka qenë 1.5 euro për transaksion, ndërsa thotë se gjatë kohës së negocimit, Posta ka ofruar shumën 1.3 euro për ta kryer këtë shërbim.

“Qeveria e Republikë së Kosovës do të kursente rreth 80 mijë euro në vit nëse këto shërbime  transferohen tek operatori ekonomik, Posta e Kosovës”, tha Hoxha.

Ai tha se Posta  rreth 157 zyre postare në vend më shumë se të gjitha Bankat e tjera, pasi që përveç që ka filiale të hapura në qytete, ka filiale edhe në shumë fshatra të komunave në vend.

“Ne po kërkojmë vetëm hapësirë dhe punë, asgjë tjetër”, tha Hoxha.

Ai u shpreh se ata kanë kërkuar që ky aktivitet publik të ndalet, dhe të anulohet shpallja e tenderit.

Sipas Hoxhës, nëse një gjë e tillë nuk bëhet, atëherë do të ketë edhe masa ligjore që Posta do të marrë ndaj kësaj Ministrie.

Hoxha tha se një kontratë e tillë, Postës do t’i sillte të hyra vjetore rreth 500 mijë euro, dhe se për një kontratë të tillë, pritet të ketë reagime edhe nga ana e punëtorëve të kësaj ndërmarrje.