Ministria e Punës dhe BQK pajtohen që të mirren masa për pensionistët që presin në sportelet bankare

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti kanë diskutuar për lehtësimin e qasjes së pensionistëve në marrjen e pensioneve.

Me këtë rast, sipas një komunikate për media të BQK-së, të dyja palët janë dakorduar për mekanizmat që do t’u mundësojnë të gjithë pensionistëve në vend, tërheqjen e pensioneve dhe kryerjen e shërbimeve tjera përmes kartelave bankare.

Sipas tyre, këto masa do t’u mundësojnë pensionistëve që të shmangin rrezikun e ekspozimit ndaj Covid-19 dhe rreziqeve tjera shëndetësore përmes pritjeve të gjata nëpër sportele bankare.

Gjithashtu guvernatori Mehmeti dhe ministri Reçica u pajtuan për të filluar diskutimin për gjetjen e mundësive për t’i liruar plotësisht pensionistët nga të gjitha tarifat e tanishme që bankat aplikojnë.