Ministri Reçica në Panairin e Punës në Pejë

Ministri Reçica ftoi punëdhënësit dhe punëkërkuesit ta vizitojnë 'Panairin e Punës në Pejë'

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS) në bashkëpunim me GIZ-in gjerman sot kanë hapur Panairin e Punës në komunën e Pejës.

Ministri i MPMS-së, Skënder Reçica tha se ky panair u jep mundësi punëdhënësve që t’i plasojnë ofertat e tyre, ndërsa punëkërkuesve ua mundëson që përgatitjet arsimore dhe profesionale t’i zbatojnë në praktikë.

“Këto panaire të punës që po hapim gjithandej përbëjnë një nga angazhimet tona për zbutje të papunësisë”, tha ministri Reçica.

Sipas këtij ministri, punëdhënësit po ankohen për mungesë të kuadrove që iu nevojiten derisa Kosova ka mbi 95 mijë punëkërkues.

“Është shumë e nevojshme që të përgatisim kuadro në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe t’i orientojmë të rinjtë në karrierë”, shtoi ai.

Ministri Reçica ftoi bizneset dhe punëkërkuesit që të vizitojnë Panairin e Punës në Pejë, për të qenë më afër mundësisë së gjetjes së kuadrove që ju nevojiten, si dhe me afër mundësisë së punësimit.