Milaim Zeka - Foto: KALLXO.com

Milaim Zeka Ndalohet për 48 Orë

Avokati Gazmend Halilaj konfirmoi për KALLXO.com ndalimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, për 48 orë si i dyshuar për mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Halilaj tha se beson që brenda këtij afati kohor i mbrojturi i tij do të lirohet.

“Pres që brenda këtij afati kohor z. Zeka do të lirohet”, tha avokati Halilaj për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi më herët se deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës është intervistuar nga Policia lidhur me dy vepra penale.

“Mund të ju konfirmojmë se sot Policia e Kosovës ka intervistuar personin me inicialet M.Z. lidhur me veprën penale që ndërlidhet me ,,Mashtrim” dhe shmangie nga tatimi. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme do t’i ndërmarrë në konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Deputeti Zeka sot gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrit Haradinaj.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.