Kërkoi para për shërimin e një personi që nuk ekziston, arrestohet i dyshuari

Një person me iniciale A. S., është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria në Gjilan pasi po dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Mashtrimi’’ dhe ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’.

Sipas prokurorisë, A. S., dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë dhe varësinë nga substancat narkotike të një personi “ia merr kartelën bankare dhe më pas në rrjetet sociale bën thirrje për ndihmë në shumë prej 160 mijë euro, kinse për shërim të djalit të të dëmtuarit G. D., i cili nuk ekziston”.

Sipas njoftimit të prokurorisë, 30 persona kishin dërguar para për ndihmë në vlerë mbi 4 mijë euro, para këto që i dyshuari i tërheq nga llogaria bankare e viktimës G. D.

Prokuroria Themelore në Gjilan brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, thuhet në njoftimin e Prokurorisë të datës 29.02.2024.