Francesco Florit, ish- gjyqtar i EULEX-it. Foto: Kallxo.com

Mbyllen Hetimet Ndaj Gjykatësit Francesko Florit për Korrupsion

Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbyllur hetimet ndaj gjyqtarit italian të dyshuar për korrupsion, Francesco Florit.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga një burim brenda prokurorisë.

Sipas këtij burimi, vendimi për mbylljen e hetimeve është marrë të premten, ndërsa së shpejti pritet t’u komunikohet palëve.

Prokurori i rastit, Haki Gecaj, i kontaktuar nga KALLXO.com nuk e konfirmoi as e mohori lajmin për mbylljen e hetimeve ndaj Florit, por ka thënë se vendimi është marrë dhe “këto dy ditë do të ketë një njoftim nga Prokuroria”.

Avokati i Francesco Florit, Ramë Gashi, ka thënë se ende nuk ka pranuar ndonjë vendim.

“Në momentin që do ta marr vendimin, do t’ju njoftoj”, tha Gashi.

I kontaktuar nga KALLXO.com Kryeprokurori i Speciales Reshat Millaku ka thënë se nuk di për epilogun e hetimeve por është i njoftuar se vendimi do jetë publik gjatë kësaj jave.

Florit ishte marrë në pyetje nga prokuroria e Kosovës muajin e kaluar.

Hetimet ndaj ish gjyqtarit të EULEX-it kishin filluar pasi në vitin 2014, ish prokurorja e këtij misioni, Maria Bamieh, pretendoi se gjyqtari Florit kishte marrë 300,000 euro ryshfet për të liruar nga akuzat të tre të dyshuar.

Florit, i cili kishte qenë edhe shef i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” në atë kohë, kishte mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.