Ismet Beqiri

LDK: u Frikësohemi Votave të Porositura

Ismet Beqiri që doli në një konferencë për gazetarë, teksa tregoi se rezultati në disa komuna pas balotazhit është i ngushtë, tregoi se LDK-ja nuk u frikohet rezultateve të zgjedhjeve e votës së qytetarëve, por votave të paketuara e të porositura.

“Shqetësimi ynë nuk është përmbysja e votave me vullnet të qytetarëve por i frikësohemi votave të porosituna. Kjo tregon se ne i drujmë porosive dhe mundësive që këto vota të jenë të paketuara gjë që munden me ba disa subjekte”, tha Beqiri.

Ai më tutje bëri të ditur se LDK-ja ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave në Prishtinë.

“Ne si LDK për shkak të rezultatit të ngushtë mes kandidatëve dhe për shkak të disa gabimeve sikur në rastin e djeshëm, kemi kërkuan nga PZAP që të behet rinumërimi i të gjitha kutive të votimit. Rinumërimi vetëm sa do të legjitimonte rezultatin cilido qoftë ai”, tha Beqiri.

Beqiri përmendi edhe transportimin e votuesve për të cilin mbrëmë Klan Kosova e shfaqi një kronikë.

Beqiri tha se LDK-ja po ndjek me vëmendje procesin e numërimit të votave, ndërsa deklaroi se nëse dyshon në rezultat do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore që vota të mos deformohet.

“LDK njofton se me vëmendje të shtuar është dukë shikuar numërimin e votave me postë dhe votave të tjera. LDK-ja do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore që nga PZAP deri te gjykata kushtetuese të verifikojë secilin rast”, tha Beqiri.

Ai deklaroi se beson që rezultati do të përmbyset në favor të kandidatit Arban Abrashi në Prishtinë.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së Shpend Ahmeti në balotazhin e Prishtinës ka fituar 50,14 për qind të votave, ose 41,401 vota, ndërsa Arban Abrashi 41,164 vota, ose 49,86 për qind.

Ende nuk janë numëruar votat me kusht, votat e personave me aftësi të kufizuara dhe ato me postë.