A e kishte parë Ismet Beqiri Konjufcën duke hedhur gaz lotsjellës në 2016 në kuvendin?

Ish-deputeti i kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në kuvendin e Kosovës në vitin 2016, ku i akuzuar për këtë rast është kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Beqiri sikurse dëshmitari pararendës, Adem Grabovci, u deklarua se nuk e mban mend që të ketë hedhur gaz lotsjellës, Glauk Konjufca më 10 gusht të vitit 2016 në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit.

“Ajo që mund të ju them është se edhe në kyresi të kuvendit edhe në seanca shumë herë ka pas hedhje të gazit lotsjellës. Po e them me përgjegjësi të plotë që në mbledhjen e kryesisë së kuvendit, Konjufcën nuk e mbaj mend, që zotëri Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës”- tha Beqiri.

Beqiri tha se është shumë e qartë se hedhja e gazit në kuvend e ka vështirësuar punën e kryesisë, duke shtuar se është rrezikuar edhe shëndeti i pjesëmarrësve në sallë.

Dëshmitari tha se në procesverbalet e mbledhjeve mund edhe të jetë shënuar se Konjufca ka hedhur gazin lotsjellës, por që ai me sytë e tij nuk e kishte parë andaj nuk mund të thotë që Konjufca ka hedhur gazin.

“Jo, jo nuk e kam parë, nëse thuhet në shkresa që ky e ka hedhë…, po unë se kam parë {duke hedhur gazin lotsjellës}”- tha Beqiri.

Në këtë rast në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe Adem Grabovci i cili mohoi ta ketë parë Konjufcën duke hedhur gazin lotsjellës.

Lidhur me këtë rast konjufca akuzohej për dy vepra penale, atë të përdorimin të armës apo mjetit të rrezikshm dhe për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrvae të tyre.

Lidhur me veprën e dytë, Gjykata njoftoi palët se ka arritur parashkrimi absolut për këtë vepër penale pasi që sipas aktakuzë, vepra penale ka ndodhur me 10 gusht 2016.

“Për {pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare}  për këtë vepër penale është paraparë dënimi prej 3 muaj deri në 3 vjet dhe vepra penale ka filluar me 10 gusht 2016, që nga kjo kohë ka kaluar dyfishi, andaj Gjykata do të merr vendim për këtë vepër penale…, ndërkaq do të procedojmë për veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” – tha Gjyqtarja e vetme, Edita Çanta.

Hera e fundit, kur Konjufca do duhej të paraqitej para Gjykatës ka qenë të premten, më 19 maj 2023, por kjo seancë ishte shtyrë.

Mbrojtja e kryeparlamentarit kishte kërkuar që seanca të shtyhej për një ditë tjetër, me arsyen se Konjufca gjendej jashtë vendit në një udhëtim zyrtar.

Gjithashtu seanca e cila ishte paraparë të mbahej më 13 prill, përsëri e njëjta nuk ishte mbajtur me arsyen se ka angazhime në funksionin që e ushtron.

Sipas aktakuzës të 3 shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e kuvendit të datës 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Gjithashtu më këtë aktakuzë, Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.