
ismet beqiri
Merr fund ‘sundimi’ i Ismet Beqirit në LDK-në e "Kodrës së Trimave"
Pas 21 vite udhëheqjeje të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë, Ismet Beqiri, nga sonte ia ka lëshuar vendin një bashkëpartiakeje.
Në kuvendin zgjedhor të mbajtur sonte, anëtarët e kësaj dege të LDK-së kanë votuar për një kryetare të re.
Donjeta Dragusha është zgjedhur kryetare e degës së LDK-së në lagjen “Kodra e Trimave”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar Ismet Beqirin për kontributin e tij për partinë ndërsa i ka uruar suksese kryetares së re.
“Ismet Beqirin e falënderova për 21 vite udhëheqje të degës së parë në Prishtinë. Të faleminderit për gjithë kontributin e dhënë Ismet! Një rrugëtim i gjatë e përplot histori. Nga sot, Donjeta Dragusha, një grua profesioniste, veprimtare burimore nga forumet tona, magjistre e shkencave të ekonomisë, e asambliste e zgjedhur në kryeqytet, u zgjodh si kryetare e re e kësaj dege Donjetës dhe ekipit të saj të ri udhëheqës, i uroj çdo sukses. Do të kenë edhe mbështetjen edhe kureshtjen tonë në secilin proces”- shkroi Abdixhiku.
Ai theksoi se në këtë kuvend zgjedhor është përmbyllur procesi zgjedhor i LDK-së në kryeqytet.