
Ismet Beqiri
Iu kërkua dorëheqja, reagon Ismet Beqiri
Kryetari i Degës së Parë të LDK-së në Prishtinë, Ismet Beqiri, në një lidhje telefonike në ‘RTV Dukagjini ka komentuar kërkesën për dorëheqjen e tij që ka ardhur nga Dega që ai e udhëheq në lagjen Kodra e Trimave.
Ai deklaroi se disa individë nga Dega e Parë po kërkojnë dorëheqjen e tij.
“Dorëheqja po kërkohet nga disa individë e jo nga Dega e Parë”, shtoi Beqiri.
Beqiri po ashtu tha se dorëheqja nuk jepet në Facebook, por pasi të mblidhet Kryesia e Degës.
“Do të thërras Kryesinë e Degës dhe do të marr vendim”, deklaroi ai.
Më herët, Dega e Parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të kësaj Dege, Ismet Beqiri, të cilin e konsiderojnë përgjegjësin kryesor të, siç e quajnë atë, rezultatit negativ në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë partia e tretë në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Ajo ka fituar rreth 13 për qind të votave dhe ndodhet shumë larg partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka siguruar rreth 47 për qind.