Ismet Beqiri, Foto: Facebook

Ismet Beqiri pas kërkesës së shkarkimit të tij: Individë të frustruar po 'çojnë pluhur' me të pavërteta

Kryetari i Degës së Parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Ismet Beqiri i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, ka thënë se “individë të frustruar” po thonë të pavërteta për të.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë në një prononcim për KALLXO.com, në lidhje me kërkesën e Degës së Parë të LDK-së në Prishtinë, që Beqiri të japë dorëheqje pas rezultatit të ulët të partisë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Janë disa individ të frustruar dhe të pakënaqur, të cilët po ‘çojnë pluhur’ me të pavërteta rreth meje dhe Degës së Parë”, ka theksuar ai për KALLXO.com.

Beqiri ka shtuar se prioritet i tij janë zhvillimet e tanishme për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

“Ne jemi para mbajtjes së Kuvendit Qendror të LDK dhe zgjedhjes së kryetarit të ri dhe strukturave tjera udhëheqëse. Ky është prioritet imi si nënkryetar i LDK-së dhe i gjithë partisë. Kryesia ka marrë vendim që nuk ka dorëheqje të asnjë kryetari të Degëve të LDK-së”, tha ai.

Siç thotë Beqiri, me të gjitha do të merret udhëheqja e re e LDK-së nëpër çdo degë, duke i vlerësuar situatat dhe specifikat e secilës dhe së bashku me kryesitë e degëve, do të ndërmerren veprimet.

Ai thotë se Dega e Parë e LDK-së në kryeqytet, për herë të parë i ka humbur zgjedhjet.

“Vlen të theksohet se Dega e Parë për herë të parë pas 30 vitesh i ka humb zgjedhjet, kur fatkeqësisht LDK i humbi ato në gjithë Kosovën. Do të punojmë që Dega e parë të rikthehet si degë fituese”, u shpreh ai.

Beqiri ka shtuar se ai është kryetar i degës i zgjedhur nga Kuvendi i saj, në qershor të vitit 2019, me 88 vota pro dhe asnjë kundër.

“Unë vetëm strukturave të degës jam i gatshëm t’u jap llogari, por jo individëve. Me siguri në harmoni me qëndrimet e partisë, në kohën e duhur do të mbajmë edhe mbledhje të Kryesisë së Degës. Në mbledhjen që do ta mbajmë, do t’i debatojmë dhe sqarojmë të gjitha çështjet. Aty është vendi, e jo diku tjetër”, u shpreh ai në një prononcim për KALLXO.com.

Nënkryetari i LDK-së, ka theksuar se e ka mbështetjen e kryesisë se Degës “përjashtimisht të disa individëve që për interesa personale po tentojnë ta dëmtojnë degën. E këtë as nuk mund as nuk do t’ua lejojmë ta bëjnë”.

Sipas tij, LDK dhe dega, janë më të rëndësishme se individi.

“Asnjë fat i individit nuk është më i rëndësishëm se LDK. Si duket këta individ nuk e dinë, apo e dinë, por i bëjnë këto veprime të pa përgjegjshme dhe me vetëdije, apo pa vetëdije po i bëjnë dëm LDK-së, por në fund do ta shohin se këtë nuk do të mund ta bëjnë. LDK në përgjithësi e Dega në veçanti nuk do t’ua lejojnë. Ata po sillen në kundërshtim me Statutin e LDK-së”, ka vlerësuar ai.

Përçarje në degën e LDK-së në Prishtinë karshi kërkesës për dorëheqjen e Beqirit

Para disa ditësh Dega e Parë e LDK-së në lagjen “Kodrave e Trimave” në Prishtinë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të saj, Ismet Beqiri, pas rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, që sipas rezultateve preliminare LDK-ja ka dalë partia e tretë.

Anëtarë të kësaj dege po shfaqin qëndrime të ndryshme sa i përket kësaj kërkese.

Anëtari i kryesisë së kësaj dege, Shefqet Osmani, ka thënë për KALLXO.com se nuk janë tërhequr nga kërkesa për dorëheqjen e Beqirit.

Ai ka shtuar se janë në pritje që të thirret kryesia e kësaj dege dhe të diskutohet për këtë çështje.

“Ne këtë javë do të kemi një mbledhje të kryesisë, ashtu është obligim prej qendrës dhe shpresojmë që do të dihen veprimet tona të mëtutjeshme. Ne nuk jemi tërhequr nga kërkesa dhe nuk jam veç unë aty, është kryesia, domethënë mbi 80 apo 90 për qind e kryesisë së Degës së Parë e kemi bërë atë peticion. Jemi rreth 22 prej 26 sa jemi gjithsej”, shtoi ai.

Osmani ka shtuar se shpresojnë që mbledhja e kryesisë së Degës do të mbahet këto ditë dhe të vendosin për hapat e mëtutjeshëm, siç thotë ai, “ose do të dorëhiqet si akt moral ose veprimet ne nuk do t’i ndalim”.

Në anën tjetër, anëtari tjetër i degës së partisë në Prishtinë, Halim Halimi, thotë se Beqirin nuk mund ta largojnë “të vetmuarit”.

“Z. Beqiri vazhdon me qenë kryetar i degës, dhe nuk mund ta largojnë ata kurrë sepse janë të vetmuar”, theksoi ai për KALLXO.com.

Halimi ka shtuar se kryesia e Degës është unike, përpos dy-tre personave të pakënaqur.

“Është e vërtetë se ata kanë dalë në mjete të informimit, nja dy-tre vetë. Kryesia e Degës është unike, përpos nja dy-tre të pakënaqur, e kanë shfrytëzuar rastin tash pas humbjes së thellë të LDK-së, kanë dalë në televizione dhe e kanë alarmuar këtë punë”, shtoi ai.

Sipas Halimit, nuk ka mbledhje të kryesive të degëve tash për tash.

“Për shkak se është situata siç është, janë njëherë kryesitë qendrore duke i mbajtur disa takime, pastaj shohim i mbajmë edhe kryesitë e nëndegëve dhe të degëve”, tha ai.

Kurse, Shefqet Osmani, i cili është edhe anëtar i Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, tha se nuk kanë asgjë personale me Ismet Beqirin.

“Tash gjeneratat e reja kanë evoluar, duan ndryshim, fytyra të reja dhe duhet ecur me kohën. Nuk kemi asgjë personale me z. Beqiri, ai do të jetë pjesë e strukturave të degës sonë, por jo ai kryesori sepse elektorati na ka ndëshkuar”, tha ai për KALLXO.com.

I pyetur se kush duhet të drejtojë Degën e Parë të LDK-së në kryeqytet, ai thotë se nuk e pretendon këtë pozitë.

“Unë nuk jam ndër ata që duhet të drejtojë këtë degë. Mirëpo ne jemi duke punuar si grup dhe do të fillojmë një reformë të thellë. Për neve nuk është me rëndësi kush do të jetë, ne do të punojmë si ekip, sepse na duhet shumë punë për t`u kthyer gjendja aty ku dëshirojmë ne”, shtoi ai.

Vetëm një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa bëri të ditur se tërhiqet nga pozita e drejtimit të partisë, duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri.

LDK pritet që të zgjedh një kryetar të ri të përkohshëm deri në mbajtjen e Kuvendit të Rregullt Zgjedhor pas dy vitesh.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, LDK është renditur e treta me 13,08 për qind të votave.