Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme I Foto: Kallxo.com

Hyseni: Ta Ruajmë Islamin Tradicional

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni në Konferencën Ndërkombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm që po zhvillohet në Prishtinë, tha se kosova duhet ta ruajë islamin tradicional.

“Ne e kemi vendosur theksin te parandalimi dhe fushata vetëdijesuese dhe ruajtjen e islamit tradicional, ngase feja islame është fe e mirë që thërret për paqe e të tillë duhet ta ruajmë,” tha Hyseni.

Ministri tha se ekstremizmi i dhunshëm nuk mund të luftohet veçmas por në bashkëpunim me shtetet tjera.

“Ekstremizimi i dhunshëm që zakonisht kulmon në terrorizëm mund të luftohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë transnacional,” tha Hyseni.

Hyseni lavdëroi strategjinë kosovare për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Kemi ndërtuar një strategji të shkëlqyeshme nacionale për t’iu kundërvënë kësaj të keqeje. Kosova ka 5 qytete anëtare të Strong Cities Network, e lansuar vitin e kaluar nga Barack Obama,” tha Hyseni.

Kjo iniciativë e Obama-s e lansuar vitin e kaluar ka për qëllim luftimin e ekstremizmit, ndërsa ka shtrirje globale.

Hyseni kundër ekstremizmit ka folur në vazhdimësi, ndërsa është mburrur se kohëve të fundit nga Kosova askush nuk i është bashkuar ISIS-it.