Kryetari i KVRL-së flet për aktivitetet që zhvillohen në Han të Elezit për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm
Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për planin e komunave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Visar Hasallari, kryetar i Këshillit të Veprimit, Rinor, Lokal në komunën e Hanit të Elezit ka thënë se ndër aktivitetet që zhvillojnë për të parandaluar terrorizmin janë fushatat vetëdijesuese dhe tryezat e përbashkëta.
Hasallari ka thënë se në mars të këtij viti kanë zhvilluar tryezë të përbashkët ku temë ka qenë parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit të dhunshëm.
“Pasi kemi marrë mandatin kemi filluar të hartojmë një plan tonë. Në fillim të këtij viti kemi pasur një tryezë të përbashkët ku temë ka qenë parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit të dhunshëm ku kemi shprehur pakënaqësitë tona për mungesë të fondeve. Afër një vit kemi bërë një punë të mrekullueshme siç është fushata vetëdijesuese, tryeza të përbashkët me nivelin lokal dhe qendror duke i ngritur këto çështje dhe duke bërë presion për parandalimin dhe luftimin e këtyre dukurive”- ka thënë ai.
Ai ka thënë se KVRL në Han të Elezit aktualisht ka rreth 70 anëtarë, aktivistë të rregullt që mbajmë takime çdo javë.
Hasallari ka thënë se si organizatë nuk kanë pasur aktivitete specifike për parandalimin e terrorizmit.
“Jemi marrë edhe aktivitetin tjetër ku si organizatë jemi duke i subvencionuar rininë sidomos gjininë femërore në hapjen e klubeve. Diçka specifike si organizatë nuk kemi pasur por komuna e Hanit të Elezit nuk ka pasur psikolog në asnjë shkollë. Organizata jonë ka bërë kërkesën që shtatori të na gjejë me psikolog” – ka shtuar ai.
Kryetari i KVRL-së tutje ka treguar që ky Këshill nuk ka qenë funksional në Han të Elezit.
“Kemi pasur problemin për financim, për të hapur një llogari merr kohë, duhet dokumente sepse shpeshherë edhe i kanë lënë KVRL-të me tatime, borxhe në ATK” – ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket funksionimit të KVRL-ve nëpër komuna, Labinot Leposhtica, zyrtar ligjor në BIRN, ka thënë se në Kosovë aktualisht vetëm 11 komuna i kanë aktivë Këshillat e veprimit rinor lokal.