Ilustrim: Fusha e Futbollit, Prelez i Muhaxhereve. Foto: Prelezi i Mhaxhereve, Facebook

Sporti e kultura si prioritete për ta luftuar terrorizmin

Dokumentet strategjike në Kosovë kanë paraparë një rol të rëndësishëm të komunave në parandalimin e terrorizmit por edhe në garantimin e një ambienti social për procesin e risocializmit.

Të dhënat nga tereni tregojnë se komunat kanë nënvlerësuar rolin, rëndësinë dhe impaktin e sportit dhe kulturës për t’u përballur me dukurinë e ekstremizmit të dhunshëm mirëpo edhe në rastet kur kanë zhvilluar aktivitete, nuk kanë arritur të bëjnë ndërlidhjen e aktiviteteve me tematikën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Aktivitetet kulturore dhe sportive përbashkojnë komunitetin, ndërtojnë komunikimin, zbusin konfliktet dhe tensionet, ndërtojnë ura miqësie pa përjashtim etnie, kulture apo religjioni, dhe në këtë formë mund të jenë një vegël shumë e dobishme për të ndërtuar shoqëri të qëndrueshme që i reziston edhe dukurive si ekstremizmi i dhunshëm.

Mirëpo, rezulton se ky funksion i aktiviteteve kulturore dhe sportive, nuk vlerësohet sa duhet nga niveli lokal – komunat në Kosovë, në veçanti në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Rreziku nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi që shpie në terrorizëm në Kosovë, në dokumentet strategjike vlerësohet se nuk është ai i vitit 2014, mirëpo po këto dokumente strategjike parashohin detyra specifike për nivelin lokal – sidomos në drejtim të parandalimit, identifikimit të hershëm dhe krijimit të një ambienti të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm për risocializim dhe ri-integrim, qoftë të atyre që tashmë janë përballur me drejtësinë por edhe të atyre që kanë rënë pre e ideve dhe narrativave ekstremiste.

Mungesa e mbështetjes financiare nga komunat për mekanizmat rinor komunal dhe jo-funksionaliteti i tyre, nënvlerësimi dhe zhvendosja nga lista e prioriteteve e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, mungesa e ndërlidhjes së atyre aktiviteteve që realizohen dhe mbështeten me tematikën e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, e po ashtu mungesa e metodologjisë për caktimin e tematikës, përmbajtjes dhe matjes së impaktit të aktiviteteve që realizohen – karakterizojnë pothuajse të gjitha komunat e Kosovës.

Një hulumtim i BIRN pasqyron se vetëm 7 nga 30 komunat që janë intervistuar gjatë hulumtimit kanë realizuar aktiviteteve kulturore dhe sportive ndërlidhur me tematikën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit. Ndërsa vetëm 11 komuna i kanë Këshillat e Veprimit Rinor Lokal funksional, ndërsa vetëm 7 prej këtyre Këshillave janë mbështetur drejtpërdrejtë financiarisht.

Po ky hulumtim i BIRN pasqyron se mungon një njohje e nivelit lokal për obligimet që rrjedhin nga dokumentet strategjike në vend, pasi që vetëm 5 nga komunat e pyetura janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen se a janë të njohur me obligimin e tyre për të zhvilluar aktivitete kulturore dhe sportive me këtë temë.

Në anën tjetër, po një hulumtim i BIRN pasqyron se 61 % e të dënuarve për terrorizëm dhe atyre që kanë kaluar përmes Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk janë nënshtruar ndonjë trajnimi apo aftësimi profesional.

Po ashtu, Kosova vazhdon të mbetet njëri nga vendet më të varfra në rajon, me popullsinë më të re dhe cilësinë e dobët më të dobët në arsim, ku 2/3 e popullsisë janë të moshës aktive për punë, ndërsa 62% e këtyre nuk janë ekonomikisht aktiv, përderisa Kosova renditet në fund të vendeve në testin ndërkombëtarë të arritshmërisë – PISA.

Në një situatë të tillë, ambienti i qëndrueshëm në Kosovë rrezikohet edhe nga ata që kanë kaluar nëpër filtrin e drejtësisë por nuk janë risocializuar mjaftueshëm, por edhe nga element të rijnë të cilët mund të nxiten dhe shtytjen nga mungesa e perspektivës ekonomike, mungesa e ndjenjës së përkatësisë shoqëruar edhe me mungesën e mendimit kritik si pasojë e arsimimit jo-cilësorë.

Nevoja dhe përfitimi nga sporti e kultura përballë ekstremizmit të dhunshëm

Aktivitetet kulturore dhe sportive vlerësohen si vegla shumë të dobishme të punës në luftën kundër të gjitha llojeve të krimit dhe dukurive tjera që sfidojnë rendin demokratik dhe sigurinë publike, pa përjashtuar këtu edhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm.

Duke nënvizuar këtë rëndësi, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Droga dhe Krim – UNDOC – në vitin 2021, ka nxjerrë një Udhëzues të posaçëm që i dedikohet parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm përmes sportit.

Po ashtu, rëndësia dhe kontributi pozitiv i të rinjve në përpjekje për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe promovuar paqen është nënvizuar edhe në Rezolutën 72/284 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në këtë rezolutë theksohet se ‘Sporti dhe aktivitetet fizike kanë fuqinë të ndërrojnë perceptimet, paragjykimet dhe sjelljet por edhe të inspirojnë njerëzit, të rrëzojnë pengesat racore dhe politike, të luftojnë diskriminimin dhe të evitojnë konfliktet’.

Më tej, Udhëzuesi teknik  i UNDOC pasqyron se sporti nxit vlera të rëndësishme njerëzore dhe mund të përdoret si një mjet për të promovuar respektimin e rregullave dhe të tjerëve, puna në grup, ndjenja e përkatësisë dhe komunitetit, toleranca, diversiteti, mikpritja dhe ndjeshmëria.

Në këtë kontekst,  evidentohet se sporti mund të shërbejë si një platformë efektive për të adresuar ideologjitë dhe shkaqet rrënjësore të ekstremizmi i dhunshëm.

Mirëpo, po ky dokument evidenton se aktivitetet sportive mund të kenë sukses në përpjekjen për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm vetëm përmes një qasje më holistike dhe të kuptueshme të njohurive që targetojnë faktorë relevant të rrezikut.

Për më tepër, Udhëzuesi i UNDOC evidenton se aktivitetet sportive nuk mund të jenë të suksesshme si të vetme mirëpo duhet të jenë pjesë e një përpjekje më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm.

Në kontekstin kosovarë, Hulumtimi i BIRN i cituar më lartë evidenton se kjo nuk ka ndodhur, dhe se ka një shkëputje të qartë në mes të realizimit të aktiviteteve dhe ndërlidhjes së tyre dhe koordinimit me obligimet që rrjedhin nga dokumentet strategjike me qëllim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Edhe në rastet kur janë aktivizuar aktivitete, nuk ka asnjë metodologji të shkruar që evidenton se cila ishte tematika e aktivitetit, kush ishte grupi i synuar, cili ishte rezultati i aktivitetit dhe si ndërlidhet aktivteti dhe si i kontribuon parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Në anën tjetër, Udhëzuesi i UNDOC përcakton se përmes sportit – me fokus tek të rinjtë mund t’ju ofrohen mundësi dhe  një ambient i qëndrueshëm, në të cilin do të ndihen të sigurte, të vlerësuar, të qëndrueshëm, të edukuar dhe të gatshëm që t’i thonë Jo ekstremizmit të dhunshëm dhe kjo bëhet në këto forma:

  • Sporti mund të krijojë zona të sigurta për fëmijët dhe të rinjtë që të argëtohen;
  • Sporti mund të krijojë mundësinë për të pasur shoqëri dhe për t’u përfshirë;
  • Sporti mund t’i ndihmojë të rinjtë të ndërtojnë qëndrueshmëri;
  • Sporti dhe edukimi mund t’i ndihmojnë të rinjtë të mësojnë aftësi teknike
  • Sporti dhe forcimi ndihmojnë të rinjtë që të ndërmarrin veprime e tyre.

Në botë vlerësohet se gati dy milionë banorë janë nga 10-24 vjeç, ndërsa evidentohet se 1 në 4 të rijnë ishte i keqtrajtuar.

Nisur nga serioziteti i ekstremizmit të dhunshëm dhe angazhimi i të rinjve në këto akte, duhet po ashtu të evidentohet se këto aktivitete mund të jenë të rrezikshme, të paparashikueshme dhe të brishta.

Dokumenti i UNDOC përcakton disa udhëzimet të tilla si aktivitetet duhet të zhvillohen në vende të sigurta, trajnerët dhe stafi duhet të lejohen të ndërtojnë marrëdhënie mes tyre dhe të jenë konsistent gjatë gjithë aktivitetit, t’u ofrohen mundësi të rinjve që të publikojnë raportet e tyre, t’ju ofrohen të rinjve mundësi punësimi dhe po ashtu të inkurajojnë pjesëmarrjen dhe lidershipin e të rinjve.

Udhëzim tjetër që jepet nga Udhëzuesi dhe evidentohet si nevojë nga hulumtimi i BIRN është synimi/targetimi i grupeve të caktuara, duhet të kihet kujdes i veçantë për të shmangur margjinalizimin dhe stigmatizimin e pjesëmarrësve.

Hulumtimi i BIRN evidenton se Komunat në Kosovë nuk kanë një metodologji të përcaktimit apo përzgjedhjes së trajnuesve teksa Udhëzuesi i UNDOC specifikisht rekomandon që duke pasur parasysh ndjeshmërinë e dukurisë së ekstremizmit të dhunshëm, trajnuesit duhet të kenë trajnime shumë specifike.

“Trajnuesit rekomandohet fuqishëm që të kenë trajnim mbi të drejtat e njeriut, duke përfshirë barazinë gjinore, praktikat gjithëpërfshirëse,  parimet e praktikave të mira, mbrojtjen e fëmijëve, mirëqenien dhe mbrojtjen dhe kuptimin e ekstremizmit të dhunshëm në komunitetet e tyre.

Po ashtu, trajnerët duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe definojnë ekstremizmin e dhunshëm në punën e tyre dhe në kontekstin lokal, duhet të dinë dhe të kuptojnë të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e njeriut, duhet të jenë në gjendje të kuptojnë sesi ekstremizmi i dhunshëm i ndikon djemtë dhe vajzat në mënyrë të ndryshme.

Më tej,  duhet të aplikojnë praktika të përfshirjes së të gjithëve dhe po ashtu të kuptojnë nevojat e veçanta të pjesëmarrësve, duhet të sillen si modele pozitive për pjesëmarrësit në trajnim dhe duhet t’i dinë kufizimet e tyre se çka dinë dhe çka nuk duhet të dinë, dhe mbi të gjitha duhet të krijojnë një ambient të sigurtë për vetën dhe ata që marrin pjesë në këto trajnime.

Hulumtimi i BIRN evidenton se asnjëra nga Komunat nuk ka prezantuar ndonjë metodologji të punës rreth realizimit të aktiviteteve kulturore dhe sportive nga komunat e Kosovës.

Pjesë shumë e rëndësishme që ndërlidhet me realizimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore nga komunat është edhe mënyra e matjes së impaktit që ka realizuar ai aktivitet.

Hulumtimi i BIRN evidenton se asnjëra nga komunat e pyetura nuk ka një metodologji të detajuar rreth matjes së impaktit, mirëpo kryesisht bëhet një matje sasiore përmes numrit dhe listave të pjesëmarrësve.

Krejt ndryshe orienton Udhëzuesi i UNDOC që specifikon rëndësinë e ndërtimit të metodologjisë për matjen e impaktit të aktiviteteve sportive dhe kulturore me qëllim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Udhëzuesi i UNDOC përcakton se në sport si mjet për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm, shumica e vlerësimeve duhet të fokusohen në matjen e ndryshimeve të sjelljes, shprehive dhe marrëdhënieve, në mënyrë që të vlerësohet impakti.

“Ky është një nivel i rëndësishëm analize, sepse janë pikërisht qëndrimet, sjelljet dhe marrëdhëniet që i shtyjnë dhe i tërheqin individët drejt dhe larg nga ekstremizmi i dhunshëm dhe që krijojnë kushte të favorshme për të rinjtë të lulëzojnë. Vlerësimet e ndikimit mbështeten në përgjigjen ndaj teorisë së ndryshimit të ngulitur në program dhe në testimin rigoroz të komponentëve kryesorë të programit.”, përcakton Udhëzuesi i UNDOC.

Gjithsesi, Udhëzuesi i UNDOC vlerëson se është mund të jetë shumë i kufizuar vlerësimi nëse një aktivitet sportiv ka ndikuar në parandalimin e një akti të dhunës mirëpo vlerësimi mund të tregojë nëse intervenimi-aktiviteti sportiv ka ulur nivelin e brishtësisë ndaj influencës së ekstremizmit të dhunshëm në komunitet dhe kjo përbën një vlerë të shtuar.

E rëndësishme të theksohet se, informacionet e siguruara nga matjet e duhura të impaktit të aktiviteteve sportive, janë kruciale jo vetëm për nivelin lokal mirëpo i shërbejnë të gjithë akterëve që merren me fushën dhe ofrojnë një pasqyrim të plotë dhe të saktë të situatës.