Gjyqtari Valon Kurtaj flet për shpërputhjen e dënimeve në rastet e terrorizmit
Valon Kurtaj, gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka folur për hetimin dhe gjykimin e rasteve që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë.
Në emisionin “Kallxo Përnime” Kurtaj ka thënë se në këto raste është bërë matja individuale e dënimit për çdonjërin prej të akuzuarve.
Ai thotë se ka raste kur gjykata ka shqiptuar edhe dënime të rënda për rekrutim.
“Kemi bërë matjen individuale të dënimit për çdonjërin prej tyre se cilin dënim e meriton dhe ta marrë atë dënim. Kemi raste kur gjykatat kanë shqiptuar edhe dënime të rënda. Është rast për rekrutim. Por kemi edhe raste tjera kur i kemi vlerësuar rrethanat në mënyrë individuale” – ka thënë ai.
Kurtaj ka thënë se sa i përket zbulimit të motivit apo qëllimit të të akuzuarve për këto vepra, gjykata i trajton si akte akuzuese të Prokurorisë Speciale.
Sipas tij, në shqyrtimin gjyqësor nuk u takon atyre të merren me hetimin e asaj se kush e ka rekrutuar të akuzuarin apo kush e ka financuar.
“Sa i përket zbulimit të motivit, qëllimit, ne i trajtojmë aktet akuzuese të Prokurorisë Speciale të Kosovës, dhe qëllimin, motivin e kemi aty, por a i përket një procesi gjyqësor që në atë gjykim gjyqtari të hetojë se cili ka qenë ai që e ka rekrutuar, kush e rekrutoi, kush e financoi, besoj që në shqyrtim gjyqësor nuk na përket neve të merremi me hetimin e veprave penale të cilat fshihen pas asaj vepre penale apo pas kryerësit të veprës penale” – ka thënë Kurtaj.
Kurtaj ka thënë se në pjesën me të madhe të akteve akuzuese kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në organizata terroriste, duke shtuar se vetëm pjesëmarrja në këto organizata përbën element të veprës penale.
Ai ka folur edhe për hetimin financiar për të cilin thotë se është vështirë të hetohet.
“Hetimi financiar është kompleks dhe goxha i vështirë të hetohet. Kemi të bëjmë me hetime financiare me kanal, burime të financave të cilat mund të jenë të brendshme apo të jashtme, mund të jenë përmes bizneseve të ligjshme apo të paligjshme. Por nuk mund ta abstrahoj që nuk mund të ketë hetim financiar, nuk mund të ketë rezultat për hetim financiar” – tha ai.