Komunat pa buxhet për t’u organizuar aktivitete kulturore të riatdhesuarve nga zonat e konfliktit

Komunat e Kosovës nuk kanë vijë buxhetore të ndarë për ofrimin e aktiviteteve kulturore dhe rekreative si pjesë e programeve të rehabilitimit dhe riatdhesimit të personave të kthyer në Kosovë nga zonat e konfliktit. Këtë e kanë konfirmuar komunat, si: Deçani, Prizreni, Ferizaj, Mitrovica, Podujeva, Fushë Kosova, Shtimja dhe Hani i Elezit.

Në përgjigjet e disa prej tyre thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme, si akter kyç që menaxhon këtë proces, nuk i ka udhëzuar që të ndahet një linjë buxhetore për këtë kategori.

Organizimi dhe pjesëmarrja në aktivitete kulturore mund të jenë thelbësore në ndërtimin e një ndjenje të komunitetit dhe rritjen e elasticitetit të komunitetit kundrejt dukurive negative, përfshirë ekstremizmin fetar.

Kjo theksohet edhe në Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit që shpie në Terrorizëm 2015-2020, faqe 20, në pikën 5.2 për Parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, ku thuhet se “Në trajtimin e shkaktarëve të radikalizmit rol të rëndësishëm do të ketë ofrimi i alternativave atraktive siç janë: mundësia për shkollim, ofrimi i aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe sportive, mundësia për angazhim në trajnime dhe punësim etj., të cilat do të synohet të realizohen përmes programeve ekzistuese në kuadër të politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, si dhe përmes masave të reja që do të implementohen si masa për adresimin e kësaj objektive strategjike”.

Pra, aktivitetet kulturore përmenden në mesin e alternativave për parandalimin e Ekstremizmit të dhunshëm dhe Radikalizmit.

“Analizat kanë treguar se problemi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm kërkon një qasje të veçantë dhe përveç politikave ekzistuese të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës është duke implementuar në ofrimin e arsimit cilësor, rritjen e punësimit, përkrahjes sociale, si dhe 28 aktiviteteve edukative, kulturore dhe sportive, duhet të ndërmerren edhe aktivitete shtesë në implementimin e të cilave patjetër duhet të përfshihen edhe bashkësitë fetare, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe në përgjithësi komuniteti”.

Në të njëjtën Strategji, thuhet se për arritjen e një objektive të tillë, do të ketë koordinim të plotë mes akterëve, si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, komunat e të tjera.

“Përkrahja e bashkëpunimit në mes të organizatave rinore dhe këshillave të nxënësve me institucioneve edukative, përmes trajnimeve, punëtorive, seminareve, konferencave etj. Si dhe mbështetja e aktiviteteve kulturore dhe sportive përmes projekteve konkrete nga organizatat rinore me temë luftimin e narratives së grupeve ekstremiste.(Realizimi i këtij aktiviteti do të bëhet në koordinim ndërmjet MKRS-së MASHT dhe institucionet tjera.)”, thuhet në faqen 25 të kësaj Strategjie.

Aktivitetet kulturore përmenden si komponentë të rëndësishëm për riintegrim sa më të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, sidomos fëmijëve, edhe në Strategjinë Kombëtare për Riintegrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar në Kosovë 2018-2022,

“Krahas shkollimit do të organizohen aktivitete kulturore e argëtuese, me qellim të lehtësimit të integrimit kulturor dhe shoqërimit të fëmijëve me bashkëmoshatarët e vet, e cila ndikon pozitivisht në riintegrim të suksesshëm të fëmijëve pas riatdhesimit”, thuhet në këtë Strategji.

Pra, institucione përkatëse kanë qenë të obliguara nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të organizojnë aktivitete kulturore në kuadër të strategjive të tyre për rintegrimin e personave të riatdhesuar, me qëllim të risocializimit të tyre.

Por, sa është arritur të bëhet një gjë e tillë?

Sipas një raporti të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar [2021], nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, e cila ka marrë pjesë në zbatimin e programeve për rehabilitimin dhe riintegrimin e qytetarëve të kthyer nga zonat e luftës, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur ndonjë plan të qëndrueshëm se si të trajtohen të kthyerit në Kosovë.

Nga përgjigjet e deritanishme nga 8 komuna të ndryshme të Kosovës është bërë e ditur se në nivel lokal nuk ka as vijë buxhetore për riatdhesimin e kësaj kategorie, e rrjedhimisht, nuk ka pasur as aktivitete kulturore të organizuara në mënyrë specifike për ta.

Në përgjigjen e Komunës së Deçanit thonë se “nuk ka raste të personave të riatdhesuar deri në këtë periudhë të vitit”.

Ndërsa, në përgjigjen e Komunës së Prizrenit thuhet se për personat e kthyer nga luftërat e huaja “buxhet ka Ministria e Punëve të Brendshme, jo komuna”. Si rrjedhojë, komuna nuk ka organizuar asnjë aktivitet për personat e kthyer nga luftërat e huaja.

“Numri i personave të riatdhesuar nga luftërat e huaja të cilët kanë marr pjesë në aktivitete kulturore apo rekreative është zero”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Vijë buxhetore për riatdhesimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja nuk ka as Komuna e Ferizajt.

“Komunat ende nuk menaxhojnë procesin e riatdhesimit të personave të  riatdhesuar nga luftërat e huaja”, thonë nga kjo komuna.

Madje, të njëjtit konfirmojnë se nuk kanë pasur as komunikim me nivelin qendror për këtë temë. Nga 149 aktivitete rinore dhe kulturore të organizuara nga kjo komunë në vitin 2021, asnjë nuk ka qenë e dedikuar për këtë kategori.

As Komuna e Mitrovicës nuk ka vijë buxhetore për personat e kthyer nga luftërat e huaja, andaj thonë se nuk kanë organizuar ndonjë aktivitet për këtë kategori.

Nuk ka pasur aktivitete  në kuadër të Komunës, por MPB-ja – Departamenti për persona të riatdhesuar ka organizuar takime, punëtori ku jemi të informuar se së shpejti neve si zyrë duhet të punojmë dhe të merremi edhe me këtë kategori të personave të huaj”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Sa i përket bashkëpunimit me shoqëri civile në lidhje me këtë temë, nga Komuna e Mitrovicës kanë përmendur organizata vendore si OFAP dhe ato ndërkombëtare si URA 2, AËO dhe DIAKONIE. Megjithatë, nuk është përmendur organizimi i ndonjë aktiviteti të përbashkët kulturor – rekreativ për këtë kategori.

Ngjashëm janë përgjigj edhe nga Komuna e Podujevës, të cilët përmendin bashkëpunimin e mirë me organizatat ndërkombëtare si IOM dhe UNDP. Por, aktivitete kulturore apo rekreative për këtë kategori thonë se nuk ka pasur.

Edhe kjo komunë, ngjashëm si tjerat, thotë se nuk ka as vijë buxhetore për riatdhesimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja.

Nuk jemi udhëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të ndahet një linjë buxhetore për personat e riatdhesuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të shkurtër e të qartë në përgjigje kanë qenë nga Komuna e Fushë Kosovës.

Dhjetëra pyetjeve në këtë drejtim, komuna u është përgjigjur me një fjali të vetme “Komuna e Fushë Kosovës nuk ka vijë buxhetore për riatdhesimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja!”.

Ndërsa, nga Komuna e Shtimes thonë të mos kenë raste të kthimit nga luftërat e huaja.

“Nuk ka pasur as buxhet e as aktivitete kulturore, të parapara për këtë kategori”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Buxhet të veçantë për kategorinë e personave të kthyer nga luftërat e huaja nuk ka as Komuna e Hanit të Elezit, por sipas tyre, ka pasur gjithëpërfshirje të kësaj kategorie në aktivitetet kulturore e sportive, të organizuara nga komuna.

Sipas të dhënave të tyre, një pakicë e përbërë nga 5-8 persona të kthyer nga luftërat e huaja ka marrë pjesë në aktivitete si liga sportive në volejboll, 17 Shkurti, Dita e Çlirimit – 11 Qershori dhe Java Kulturore.

“Rezultati i këtyre aktiviteteve ishte përveç socializmit dhe angazhimit të tyre, edhe kontakti me grupet e bizneseve gjë që dikush nga ta është punësuar në firma privat”, thonë tutje.

Aktivitetet e tilla thuhet se janë mirëpritur nga të kthyerit dhe kërkesa  e tyre ka qenë që të vazhdohet me aktivitete të tilla kulturore dhe sportive.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 403 qytetarët i ishin bashkuar Shtetit Islamik dhe organizatave të tjera terroriste në Siri dhe Irak. Sipas të të njëjtave të dhëna, që nga viti 2012, rreth 250 qytetarë të Kosovës janë kthyer ose riatdhesuar nga zonat e konfliktit dhe aktualisht kalojnë nëpër programe rehabilitimi dhe risocializimi, të udhëhequra nga institucionet përgjegjëse në Kosovë. Që nga viti 2015, Kosova ka në fuqi Ligjin Nr. 05/L – 002 për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, në bazë të të cilit çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja, mund të dënohet nga 5 deri në 15 vjet burgim.

Ky artikull është realizuar në kuadër të programit Resilient Community, i cili realizohet nga një konsorcium organizatash i përbërë nga BIRN, PEN dhe PIPS, dhe që udhëhiqet nga ATRC. Programi mbështetet nga USAID dhe Ambasada e Holandës përmes programit GCERF.