Gjykimi për vështirësitë e regjistrimit të pronës | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Më kërkuan 20 mijë Euro për Regjistrim të Pronës

Ramush Misini, i dëmtuari i rastit ku të akuzuar janë dy zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit tregoi në gjykatore  në detaje vështirësitë që kishte kaluar duke u munduar që një pronë që djali i tij e kishte blerë nga AKP-ja, ta regjistronte në emrin e tij.

Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj të dy zyrtarë të AKP-së po akuzohen për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Hajdari dhe Tahirsylaj si persona zyrtarë në AKP me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ta shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, keqpërdorën detyrën duke ia kërkuar atij 20 mijë euro.

I dëmtuari, Misini tregoi se si pasi kishte provuar disa herë ta regjistronte pronën e tij, një zyrtare e AKP-së në Gjilan e kishte udhëzuar te Fevzi Hajdari.

“Unë e kam gjetur Fevzi Hajdarin mik pas miku dhe kam shkuar në shtëpinë e tij ku fillimisht jam takuar me vëllanë e tij, pastaj jam takuar me Fevziun dhe e kam pyetur se pse nuk po mundem ta regjistroj pronën, ndërsa ai më ka thënë se para dy dite e kanë shikuar lëndën dhe se është një rast i koklavitur”, tha Misini.

I pyetur nga prokurorja Dulina Hamiti, Misini më tej tregoi se atij i ishte thënë se lënda e tij mund të marrë kohë të zgjidhet.

“E kam pyetur se pse dhe i njëjti më është përgjigjur se ‘qashtu janë letrat e tua’, ‘janë të koklavitura’, ndërsa  kur i kam thënë se do t’i drejtohem Odës së Veçantë të AKP-së, më ka thënë se i kemi kontaktuar edhe aty, dhe si punohet aty me dy apo tri lëndë, e kemi llogaritur se duhen 100 deri 104 vjet për t’i kryer ato lëndë”, tha Misini.

Misini tha se i dëshpëruar dhe duke u ndjerë se i ishin mbyllur të gjitha dyert, e ka pyetur Fevzi Hajdarin se çfarë të bënte, si ta regjistronte pronën, ndërsa ai e kishte ftuar të takoheshin në Prishtinë.

Takimi për të cilin ishte ftuar, Misini tha se nuk ndodhi, por tregoi se Hajdari ia kishte ofruar një numër telefoni dhe e kishte udhëzuar ta kontaktonte.

Dëshmitari që ka edhe cilësinë e të dëmtuarit tha se e kishte kontaktuar numrin që i ishte dhënë dhe se takimi ishte caktuar diku te tregu i madh në Fushë-Kosovë, ndërsa nuk kishte zgjatur shumë.

“I njëjti m’i ka kërkuar 20 mijë euro për punën që e kryejnë shokët e Fevziut dhe me ka thanë se unë s’kam asgjë në këtë muhabet, mirëpo duhet me i lanë 20 mije euro për me tu kry puna, sepse ata kështu kërkojnë dhe unë i thashë se jam i vogël për këso sende dhe nuk kam mundësi dhe krejt çka mundem me bo me forcën time unë mund t’i mbledhi me se shumti 5 mije euro”, tha Misini.

Kjo përgjigje e Misinit si duket nuk e kishte kënaqur personin me të cilin ishte takuar, i cili sipas Misinit, kishte thënë se “ata janë njerëz të mëdhenj dhe se nuk besonte se e merrnin për bazë me nga 2500 euro”.

Misini tha se krejt kjo situatë kishte ndikuar shumë keq në familjen e tij dhe se i kishte shkaktuar shqetësime djalit të tij me të cilin kishte pasur mosmarrëveshje.

“Pasi jam kujtuar mirë për rreth një javë, i jam drejtuar policisë në Prishtinë por ata më kanë udhëzuar në Gjilan dhe kam shkuar atje, por ata s’kanë ndërmarrë asgjë dhe pastaj përsëri i jam drejtuar policisë në Prishtinë dhe përsëri thuajse me zor e kanë marrë lëndën pasi rastësisht jam takuar me një polic civil i cili më ka drejtuar tek personat përgjegjës”, tha Misini.

Misini më tej tregoi se çështja e barrës tatimore që rëndonte mbi pronën e tij kishte qenë temë e diskutimit edhe tri herë të tjera me Fevzi Hajdarin dhe në njërën nga takimet, dëshmitari tha se ia dha paratë zyrtarit të akuzuar të AKP-së.

“Jemi takuar në restorant ‘Natyral’ dhe aty ia kam dhënë paratë-15 mijë euro të cilat ishin para të policisë, në emër të regjistrimit të pronës”, tha Misini.

Misini tha se pasi i kishte dhënë paratë Hajdarit, ky i fundit i  kishte thënë se çështja nuk do të marrë më shumë se 10 ditë për t’u kryer.

“E kam pyet se a është ky shoku i ATK-së  i fortë që e kryen këtë punë dhe më ka thanë se është i fortë dhe se 98 për qind e ki të kryer  këtë punë”, tha Misini.

Pyetje dëshmitarit i shtroi edhe Ramë Gashi, avokati i të akuzuarit Fevzi Hajdari, i cili e pyeti se a kishte marrë dëshmitari ndonjë njoftim nga AKP-ja lidhur me barrën tatimore, ndërsa përgjigjja ishte ”po”.

Gashi e pyeti dëshmitarin se a kishte ai njohuri për barrën tatimore të pronës në momentin që e kishte blerë pronën, ndërsa këtë herë përgjigja ishte negative.

Avokati i Taulant Hajdarit e pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë që policia u ka thënë që paratë t’i dërgoni tek Taulanti, por ju i keni thënë se nuk doni ta merrni në qafë atë?

“Po, ashtu është”, u përgjigj dëshmitari.

Seanca e radhës në këtë gjykim, ku të akuzuarit do të dëshmojnë para trupit gjykues do të mbahet në muajin prill.