Debat Pernime, Deçan. Foto: Atdhe Mulla

Si do të Bëhet Pastrimi i Deçanit nga Deponitë Ilegale?

Kandidatët për kryetar të Komunës së Deçanit, para moderatores Jeta Xharra në Debat Pernime, folën në lidhje me pastrimin nga deponitë ilegale të mbeturinave, pastrimin e lumenjve dhe dëmtimet e pyjeve në Deçan.

Mal Lokaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se me ardhjen e LDK-së në pushtet, pastrimi i Deçanit do të jetë primar.

“Sa i përket ambientit, që ditët e para që kemi me ardhë në pushtet do të jetë prioriteti i parë që të bëjmë pastrimin e lumenjve dhe ambienteve publike. Janë toleruar të hedhin mbeturinat ku të munden. Po ashtu degradimi i Lumbardhit është bërë me futjen e lumit të tij në tubacione shumë të mëdha. Prerja e pyjeve degradimi i saj ka ndodhur skajshmërish. Do të punojmë në bazë të kompetencave të komunës”, tha Lokaj.

Blerand Kadriaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se do të vënë në funksion ndërmarrjen publike “Higjiena”.

“Hapi i parë është funksionalizimi i kompanisë publike “Higjiena” e cila nuk është funksionale tani. Kjo kompani e mbulon vetëm 30% e komunës kjo është njëra ndër arsyet që në komunë ka mbeturina. Sa i përket kanalizimeve është një projekt që do të fokusohemi më së shumti”, tha Kadriaj.

Shkodran Imeraj nga Nisma për Kosovën tha se do të intervenohet që fshatrat të kenë ujë të pijshëm.

“Mendoj që gjatë qeverisjes sime do të intervenohet në këto fshatra sepse Deçani disponon ujë dhe do të marrim masa, brenda mandatit 4 vjeçar do të bëhet zgjidhja jo vetëm për 10 fshatrat”, tha Imeraj.

Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kur u pyet se pse në kohë fushatë ka larguar 30 deponi të mbeturinave, tha se nuk ishte hera e parë e pastrimit të deponive të mbeturinave.

“Nuk është hera e parë që i pastrojmë deponitë ilegale, është hera 9-10. Ka ndodh që ka dy vite që kam qenë vet hartues i ndërmarrjes higjiena sepse ministri dhe kabineti i ministrave nuk është mbledh me legalizu ndërmarrjen Higjiena”, tha Ramosaj.

Zekë Sinanaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të bëjnë përpjekje që malet e Deçanit të jenë të sigurta dhe të padëmtuara.

“Bjeshkët e Deçanit janë shpallur park nacional, nuk ka fillu kurgjo të implementohet. Ne si komunë do të bëjmë të gjitha përpjekjet meqenëse edhe pylltarë edhe punëtorët që përkujdesen për prerjen e drunjve nga tenderët që janë dhënë në bashkëpunim me policinë kur të shohim se ka dëmtim të pyjeve do të  ndërmarrim masa. Kanë me marr masa sepse do të jemi shumë efikas sepse çka premtojmë e mbajmë fjalën”, tha Sinanaj.

Për të shikuar debatin me kandidatët e Komunë së Deçanit, klikoni në linkun më poshtë: