Debat Pernime, Deçan. Foto: Atdhe Mulla

Plot Programe Qeverisëse për Deçanin

Në emisionin Debat Pernime kandidatët për kryetar të Komunës së Deçanit paraqitën programet qeverisëse të tyre para moderatores Jeta Xharra.

Kandidati nga AAK, Bashkim Ramosaj tha se programi i Aleancës bazohet në 7 shtylla kryesore.

“Ne kemi punuar shumë në programin zgjedhor në të cilin Aleanca garon në këto zgjedhje. Dhe unë si kandidat i Aleancës, programi ynë bazohet në 7 shtylla kryesore, ekonomisë, bujqësisë subvencionim, turizmin, shëndetësia dhe shërbimet e patronazhit, arsimi dhe cilësia e saj, urbanizmi dhe infrastruktura, kemi projekt për rini kulturë dhe sport”, tha Ramosaj.

Blerand Kadriaj, kandidat nga PDK, tha se kanë një program me 5 qëllime strategjike.

“Programi qeverisës i PDK-së, do të mbështetet në 5 qëllime strategjike, zhvillim ekonomik, rritje të punësimit, qeverisje transparente, kujdes shëndetësor, arsim cilësor, dhe mjedis të favorshëm  socio-kulturor”, tha Kadriaj.

Mal Lokaj, kandidat nga LDK, tha se prioritet i tij do të jenë zhvillimi ekonomik, bujqësia, arsimi e turizmi.

“Ne me programin tonë do të mbështetemi në disa pika: zhvillimi ekonomik, për bujqësi do të investojmë nga 200,000 euro për çdo vit, edhe për turizëm do të bashkëveprojnë së bashku me bujqësinë, do të investojmë nga 40 mijë euro për mirëmbajtje të rrugëve të bjeshkëve, po ashtu edhe për kulturë, rini e sport do të kemi kujdes të veçantë, do të japim çdo vit të diplomuarve tanë që të punojnë punën praktike në komunë me pagesë, edhe në sport do të rregullojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, tha Lokaj.

Shkodran Imeraj nga Nisma tha se me ardhjen e tij në qeverisje do të ketë transparencë, administratë efikase, bujqësi të qëndrueshme.

“Nisma për Kosovën me programin e saj është parti e qendrës së majtë social- demokrat. Për Deçanin ndërtohet mbi një administratë komunale efikase, ekonomi më të mirë, bujqësi të qëndrueshme, arsim cilësor, trashëgimi kulturore me të avancuar, transparencë dhe llogaridhënie”, tha Imeraj.

Zekë Sinanaj nga LVV tha se do t’i kushtojë rëndësi gjeneratave të reja, arsimit, shëndetësisë e kulturës.

“E kam pranuar pozitën për Deçanin, duke pasur parasysh që e ardhmja varet nga gjeneratat e reja të edukuara mirë, do të ofrojmë transport falas për të gjithë nxënësit e Deçanit dhe shujta falas prej klasës së parë deri në të 5. Qendrat e mjekësisë familjare do të jenë të hapura 24 orë. Do të ndërtojmë deri në fund të mandatit katër çerdhe të reja publike në Deçan. Pallati i Kulturës do të jetë funksional në shërbim të kulturës dhe rinisë dhe do ta shtrijmë kanalizimin për ujërat e zeza në krahun lindor”, tha Sinanaj.

Për të shikuar debatin me kandidatët e Komunë së Deçanit, klikoni në linkun më poshtë: