Lavdim Elmazi, Lëvizja Besa, Strugë. Foto: Atdhe Mulla

Lavdim Elmazi: Në Komunën e Strugës Kemi Njerëz që Nuk Dinë të Menaxhojnë

Kandidati i Lëvizjes Besa për kryetar të komunës së Strugës, Lavdim Elmazi, premtoi zgjidhje të shpejtë të problemit të deponive të mbeturinave në këtë komunë nëse votohet në krye të komunës në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.

“Pika e parë e jona në Strugë është deponia e mbeturinave. Kemi projekt konkret”, tha Elmazi në Debat Pernime të moderuar nga Jeta Xharra.

Ai, në fillim të debatit, i bëri një përshkrim qytetit turistik të Strugës.

“Mirë se erdhët në Strugën e dhuruar nga Zoti por të shkatërruar nga pushteti këto 12 vjet”, tha Elmazi duke premtuar zgjidhje të problemit të ujit si dhe ndalimin e, siç e quajti ai, degradimit të arsimit.

“Njihemi si qytet i kulturës por pa projekte kulturore. Kërkojmë marrjen e kompetencave të Shtëpisë së Kulturës nga niveli qendror”, tha Elmazi.

“Do ta ndërtojmë një pishinë të mbyllur në mënyrë bashkëkohore… Nuk kemi statistikë për numrin e turistëve dhe për ta ditur se nga janë ata”, shtoi ai.

Duke folur për përmirësimin e furnizimit me ujë, Elmazi premtoi nisjen e zgjidhjes së tij që në vitin e parë.

“Problemi kryesor te ne është menaxhimi. Kemi njerëz që nuk dinë të menaxhojnë”, tha Elmazi.

Elmazi ka qenë pjesë e ekipit të kryetarit aktual të komunës, Ziadin Sela, por ëhstë larguar nga kjo parti për të kaluar në Lëvizjen Besa.

“Aty ku isha nuk kisha hapësirë veprimi, jo për vete por për të mirën e qytetarëvre. Te besa kam gjetur hapësirën e duhur”, tha Lavdim Elmazi duke folur për kalimin e tij politik.

Por në Debat Pernime, Sela i tha Elmazit se është frikësuar të qëndrojë te Aleanca për Shqiptarët.

“Ne dy kemi folur gjatë për këto tema. Po ta them për herë të parë publikisht. Ti je larguar sepse kishe frikë. Ti u largove sepse u desh të përballesh me Menduh Thaçin”, tha Sela.

Por Elmazi hodhi poshtë këtë.

“Nuk kam frikë nga askush përveç Zotit”, tha Lavdim Elmazi.

Debatet do të transmetohen në TV ART CHANNEL nga sot deri më 7 tetor.

Në kuadër të këtyre debateve, shikuesit do të njihen me ofertën politike të kandidatëve për komunat Çair, Saraj, Tetovë, Strugë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë.

Qytetarët mund të dërgojnë pyetje për kandidatët përmes platformës online në KALLXO.com, aplikacionit mobil të KALLXO.com si dhe në Facebook të KALLXO.com.

Debatet organizohen në partneritet të KALLXO.com me PortalbVërtetëmatës/VistinomerArt Channel dhe BIRN Maqedonia.