Debat Pernime, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Kur do të Bëhet Istogu me Ujë dhe Kanalizim?

Kandidatët për të marrë drejtimin e Komunës së Istogut kanë shpalosur planet e tyre për të zgjidhur dy nga problemet elementare me të cilat përballen qytetarët e tyre.

Megjithëse kryetari aktual, Haki Rugova nga LDK mohon se problemi me ujë dhe kanalizim është aq alarmant, ai dha premtim konkret për zgjidhjen e tij.

“12 fshatra në pjesën lindore të Istogut do të kenë 24 orë ujë, ndërsa tek të tjerat duhet rehabilitim eventual, vetëm menaxhim të mirë, se kurrë pa ujë ata s’mbeten”, tha Rugova

Në Debat Pernime, Gani Dreshaj nga AAK pas disa akuzave për keqpërdorime ndaj kryetarit aktual, premtoi se problemin me ujë dhe kanalizim do ta zgjidhë në kohë rekorde.

“Kryetari i Komunës i ka dhënë tenderin bashkëpartiakut të tij për kanalizim, ai jo që s’është qit deri ku duhet 300 metra, e kam ble impiantin privat, me shku në lum, lumi sa ndotet prej ujërave të zeza, aq ndotet prej një gurëthyesi, prapë janë bashkëpartiakë. Tre muaj më vonë do të kenë ujë dhe kanalizim të gjithë fshatrat”, tha Dreshaj.

Beqir Sadikaj nga PDK konsideron se Komuna e Istogut mund të përballet me pasoja ligjore për shkak të ndotjes së lumenjve me ujërat të zeza.

“Jo që mundet me  e paditë por është dashtë me e paditë deri tash, edhe është dashtë komuna me dhanë përgjegjësi për veprat që i ka kry në mënyrë të papërgjegjshme. Unë premtoj që brenda dy viteteve, jo brenda një viti, të gjitha do të jenë të rregulluara”

Ndërkaq Arif Elshani nga Iniciativa e Pavarur për Istogun po ashtu drejtoi akuza për keq menaxhim ndaj udhëheqjes së LDK-së.

“Kanalizim s’ka kërkund në Istog, ne kemi një impiant, kanë ardhur italianët kanë investuar dhe ne e kemi lënë për një punëtor, ai nuk funksionon”,

Në anën tjetër, Agron Avdiaj nga Lëvizja Vetëvendosje u zotua se do të zgjidhë problemin me ujë brenda mandatit qeverisës.

“Një prej zotimeve tona është që do të bëhet vlerësimi I humbjeve, pastaj investimeve për realizimin e të gjitha pjesëve ku nuk ka ujë. Brenda katër viteve do të ketë secili fshat ujë.”, tha Avdiaj.