Debat Pernime, Kamenicë. Foto: Atdhe Mulla

Kastrati- Surdullit: Qysh s’po të Vjen Marre me Kandidu për Herë të Gjashtë?

Në debatin për komunën e Kamenicës kandidati për kryetar nga Vetëvendosje, Qëndron Kastrati, ka thënë se atij po i vjen marre që Shaip Surdulli, rivali i tij nga LDK, është duke kandiduar për herë të gjashtë për kryetar të Kamenicës.

“Drejtpërdrejt z.Surdulli është ndëshkuar prej qytetarëve, paramendoje që edhe Begzad Sinani e ka mujt me rezultat të thellë. Mu po më vjen marrë qysh nuk i vjen marre me kandidu për të gjashtën herë”, ironizoi Kastrati.

Ai vazhdoi duke thënë se qysh Surdulli është duke kandiduar për herë të gjashtë dhe ende është duke menduar se do ta ndryshojë gjendjen e vështirë në të cilën gjendet komuna e Kamenicës.

Edhe Amir Canaj, kandidati i AKR-së i është kundërvënë Surdullit duke i thënë se gjendja e sektorit të arsimit në Kamenicë është rezultat i qeverisjes së Shaip Surdullit.

“Duhet ta kenë të qartë qytetarët e Kamenicës që gjendja e këtij arsimi që është sot është rezultat 100 përqind i z. Surdullit”, ka shtuar Canaj.

Ndërsa Surdulli në është përgjigjur në këto akuza duke thënë se ka pasur raporte pozitive që e kanë vlerësuar qeverisjen e tij 11 vjeçare në komunën e Kamenicës.

“Unë e kuptoj Qëndronin edhe të tjerët që i pengon rikandidimi im. Unë e kam udhëhequr komunën e Kamenicës në mënyrën më të mirë të mundshme ku kemi pasur edhe raporte shumë pozitive nga ata që e kanë vlerësuar punën tonë 11 vjeçare që e kemi bërë, jemi përkushtuar që prapë të kthehemi dhe ta udhëheqim në mënyrën sa më të mirë komunën e Kamenicës” ka përfunduar Surdulli.