Shpend Ahmeti në "Taslixhe" - Foto: VV

Ahmeti: E Kemi Bërë Qytetarin Pronar të Komunës

Në një takim me banorë të lagjes “Taslixhe”, kryetari i Prishtinës dhe kandidat për t’u rizgjedhur, Shpend Ahmeti, ka thënë se në mandatin e parë janë angazhuar për ta stabilizuar gjendjen në Komunë, për ta ndalur krimin dhe korrupsionin, dhe për ta kthyer Komunën tek qytetarët.

Kandidati i Vetëvendosjes tha se për dallim nga subjektet e tjera partia e tij ka tjetër qasje për Komunën dhe Republikën.

“Me shërbimin tonë ndaj qytetarëve për këto katër vite e kemi bërë qytetarin pronar të Komunës. Tash ka rend dhe rregull, e trajtim të barabartë për të gjithë”, citohet të ketë thënë Shpend Ahmeti para qytetarëve sipas një komunikate të VV-së.

“Tash na mbetet që përmes 100 Zotimeve që i kemi ndarë në 10 fusha, ta zhvillojmë tutje qytetin tonë. Investimet në secilën lagje do të bazohen në prioritetet që na i keni caktuar vetë ju banorët e lagjes”, theksoi Ahmeti.