Arban Abrashi te OJQ "Derë e Hapur" - Foto: LDK

Abrashi Zotohet për Fuqizimin e Rolit të Grave në Vendimmarrje

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, gjatë takimit me përfaqësuesen e OJQ-së “Dera e Hapur”, Belqizare Muharremi, ka thënë se gjatë mandatit të tij do të garantojë rolin e grave në vendimmarrje.

“Gratë do ta kenë një rol kryesor në vendimmarrje sidomos në sektorin publik, ku besoj se do të punësohen shumë gra. Nëpërmes sistemit të arsimit do t’i favorizojmë gratë, sepse do të ndërtojmë shkolla të reja dhe do t’ju mundësojmë nënave që fëmijët e tyre të kenë mundësi qëndrimi gjithëditor në shkolla”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se është krenar që “brenda shtëpisë sonë politike ka kaq shumë gra e vajza, të cilat janë të profileve të ndryshme dhe do të jenë artikuluese të programit tonë për qeverisjen e Prishtinës gjatë mandatit të ardhshëm”.

Abrashi ka pohuar se nën drejtimin e tij, Komuna e Prishtinës do t’u krijojë hapësirën që meritojnë grave dhe vajzave që ta menaxhojnë kryeqytetin, ashtu siç menaxhojnë shtëpitë.

Ndërkaq kandidatja për asamble, Vlora Dumoshi ka thënë se OJQ “Dera e Hapur” është vlerë e kryeqytetit, pasi që ka kontribuar në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave të grave.