Vjosa Osmani kërkon votën e gjakovarëve për LDK-në duke premtuar Aeroportin e Gjakovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në qytetin e Gjakovës.

Kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje qytetarëve të Gjakovës që të votojnë për LDK-në.

“Ju ftoj që t’i besoni LDK-së, që të fitojmë bindshëm dhe t’i qesim në opozitë të gjatë shkaktarët e të këqijave të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Më tej Osmani ka shtuar se vetëm fitorja e LDK-së është zgjidhja e vetme për t’ia rikthyer perspektiven Gjakovës.

“Duke qenë në krye të qeverisë do të flasë njësoj sikurse nënat e Gjakovës dhe të krejt Kosovës. Gjakova do ta ketë fokusin e veçantë, që Gjakovës t’ia kthejmë namin e shkëlqimin e dikurshëm”, theksoi Osmani.

Osmani po ashtu ka premtuar se do ta bëjnë Aeroportin e Gjakovës.

“Do ta bëjmë aeroportin në Gjakovës, në këto zgjedhje Gjakova do të nisë ndryshimin e madh. Prandaj me 6 tetor të nderuar gjakovarë me përkrahjen tuaj do të marrin fund ditët e këqija sepse ditët e mira po na presin”, premtoi Osmani.

Edhe nënkryetari dhe shefi i shtabit të LDK-së, Lutfi Haziri kërkoi votën e gjakovarëve për LDK-në.

“Gjakovë jepnani votën. LDK-ja do ndihet edhe më mirë nëse e ka edhe mbështetjen e Gjakovës, ne mendojmë, ne debatojmë e deri në fund kemi me shku e me dalë fitues. Kosova po hyn në fazën e madhe të ndryshimit të madh, e ky ndryshim nuk ndodh pa mbështetjen e gjakovarëve, qytetit të Fehmi Aganit, Bardhyl Çaushit e të tjerëve”, tha Haziri.

Ndërsa një aktivit i vjetër i LDK-së në Gjakovë, Dash Gola është shprehur i bindur se LDK me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre do të jenë fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“E madhja Vjosa Osmani do të fitojë me 6 tetor. Lus zotin që nënat shqiptarë të lindin vajza si Vjosa Osmani e djem si Zef Morina (kandidat i LDK-së për deputet)”, përfundoi Gola.