LVV: Asnjë mësues nuk do të mbetet pa punë edhe nëse mbyllen shkollat

Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë, Venera Llunji dhe Yll Rugova në Debat Pernime kanë dhënë përgjigje në pyetjet konkrete lidhur me mundësinë e mbylljes së shkollave dhe mbetjes së mësimdhënësve pa punë.

Kandidatja e Vetëvendosjes, Venera Llunji ka deklaruar asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë pas mbylljes së shkollave.

Llunji nuk ka treguar se sa do të rritet numri i inspektorëve, mirëpo ka deklaruar se numri do të rritet varësisht prej numrit të shkollave.

LVV ka premtuar se deri në fund të mandatit secila shkollë do të ketë laboratorë:

Më poshtë mund t’i lexoni përgjigjet e kandidatëve të LVV-së:

Jeta Xharra: Kur ka me u kry testimi dhe rivlerësimi i mësimdhënësve ?

Venera Llunji: Vlerësimi i mësimdhënësve do të jetë një proces i vazhdueshëm, nuk mund të caktojmë data se kur kryhet vlerësimi i mësimdhënësve, gjatë gjithë kohës do të jenë në proces të arsimimit dhe edukimit të tyre përmes trajnimeve.

Jeta Xharra: Sa inspektor të arsimit keni me i pasë kur të vini në pushtet ?

Venera Llunji: Varësisht prej numrit të nxënësve dhe numrit të shkollave të cilat janë nëpër qytete.

Jeta Xharra: Çka do të bëni me mësuesit që kanë mbetur pa punë pas mbylljes së shkollave ?

Venera Llunji: Nuk do të mbesin pa punë mësimdhënësit, do t’i gjetet vendi i punës të gjithëve.

Jeta Xharra: A do të siguroheni se çdo shkollë e Kosovës do të jetë e kompletuar me laborator dhe kur do t’i kenë këto mandate ?

Venera Llunji: Po, me siguri

Jeta Xharra: Këtë vit për herë të parë është bërë ligji për sponozorim, këtu është mbështet edhe ligji për tatim në korporata. A keni me i bo transparente të gjitha dokumentet edhe emrat e bizneseve që iu njihet e drejta 30% të fitimeve me i dhënë për sport

Venera Llunji: Unë nuk jam ekonomiste, por LVV për transparencë shquhet.

Jeta Xharra: Sa stadiume do t’i plotësojnë kushtet e UEFA-së deri në fund të mandatit ?

Venera Llunji: Varësisht prej nevojës që i ka Kosova dhe prej vendeve kua to duhet të ndërtohen. Të themi që në çdo komunë do të ndërtojmë stadiume të UEFA-së, nuk besoj se do të mbërrijmë.

Yll Rugova: Stadiumin e përfaqësueses së Kosovës do të ndërtohet, e kemi në program.