Foto: Osman Hajdari në Facebook

Ish-asamblisti i VV-së në Prizren emërohet u.d. i drejtorit të QKUK-së

Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Osman Hajdari, është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai ka shërbyer edhe si drejtor i administratës në këtë Komunë, gjatë mandatit të Mytaher Haskukës (LVV).

Emërimi i tij është bërë nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, më 21 janar 2024, deri në përzgjedhjen e drejtorit përmes konkursit të rregullt.

Hajdari është udhëheqësi i parë i QKUK-së, pasi kjo pozitë parashihet me Statutin e ri të ShSKUK-së. Deri më tani, drejtori i ShSKUK-së ka qenë edhe drejtor i QKUK-së.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Hajdari tha se emërimi i tij nuk ka lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Para se të caktohej drejtor i QKUK-së, Osman Hajdari ka qenë drejtor i administratës në Spitalin e Prizrenit.

Hajdari thotë se sa ishte në atë pozitë, ai i ka ndihmuar ish-u.d. e drejtoreshës së ShSKUK-së, Narqize Arënliu – Hoxhaj me punët në këtë institucion, pasi ajo paraprakisht ka qenë drejtoreshë e Spitalit të Prizrenit.

“I kam ndihmuar ish-drejtoreshës së ShSKUK-së, Narqizes sa ka qenë atje drejtoreshë në punët e përditshme. Caktimi im këtu nuk ka lidhje as me parti, as me kurrgjë, thjesht një funksion t’u kalu në tranzicion pas Statutit të ShSKUK-së” – tha Hajdari.

Edhe drejtoria e ShSKUK-së tha se Hajdari ka përvojë në ekip menaxhimi të këtij institucioni pasi ka punuar bashkë me ish-udhëheqësen e ShSKUK-së.

“Këto elemente janë marrë parasysh dhe është caktuar z. Hajdari deri në procedim të konkursit, që do të ndodhë së shpejti” – thuhet në përgjigjen e drejtorisë.

Osman Hajdari shtoi se nuk ka qenë kurrë anëtar i Vetëvendosjes.

“Kam shërby si drejtor i administratës në kohën e Mytaher Haskukës, në mandatin e tij. Kryetari i komunës (atëkohë) më ka propozu si i pavarur me hy në listën e VV-së, kam garu brenda listës së VV-së pa qenë anëtar i partisë. I kam fitu votat, jam ba anëtar i asamblesë, pastaj kam dhënë dorëheqje” – tha udhëheqësi i QKUK-së.

Ai tha se asamblist ka qenë nga dhjetori i 2021 deri në maj 2022.

Pozitën që ka tani, Hajdari tha se nuk e merr si privilegj, por si përgjegjësi, të cilën e ka “marrë pak me hezitim”.

I pyetur nëse pretendon që këtë pozitë ta fitojë edhe përmes konkursit, ai tha se nuk e ka menduar që të konkurrojë.

“Nuk më lë ndonjë përshtypje të madhe me qenë drejtor i QKUK-së, për shkak të nivelit të përgjegjësisë dhe pasi jetoj në Prizren është problem shkaku i familjes” – u shpreh ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur në Prizren në krye Mytaher Haskukën gjatë viteve 2017-2021.

Lidhjet e udhëheqësve të ShSKUK-së me Vetëvendosjen

Gjatë vitit të kaluar, KALLXO.com kishte raportuar se Elvir Azizi, i cili është përzgjedhur drejtor i ShSKUK-së përmes konkursit, është mik i studimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Azizi e Vitia e kanë vazhduar shoqërinë e tyre edhe pas përfundimit të studimeve.

Në një fotografi të vitit 2017, të siguruar nga KALLXO.com, Azizi shihet bashkë me Vitinë, bashkëshortet e tyre dhe me disa persona të tjerë në Prishtinë. Në vitin 2017, Arben Vitia ishte drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.

I kontaktuar nga KALLXO.com, sa ishte ende kandidat për këtë pozitë, Azizi kishte thënë se me Vitinë kanë qenë vetëm kolegë në të kaluarën dhe kanë njohje si me shumë kolegë të tjerë.

“Ministri Vitia ka qenë vetëm një nga kolegët e shumtë në fushën profesionale. Kjo mbase ju ndihmon edhe si informacion për përgatitjen time profesionale dhe preokupimin tim të vetëm që të prezantoj një koncept sa më të avancuar në shërbim të qytetarëve. Jam i sigurt se edhe ju, edhe kandidatët e tjerë e njohin ministrin mbase edhe më mirë se unë, shkaku i funksionit të tij publik dhe profesional” – pati thënë Azizi përmes mesazheve.

Ai kishte refuzuar ta komentonte fotografinë ku shihen së bashku me ministrin Vitia.

Edhe ish-ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Narqize Arënliu – Hoxhaj ka pasur pozitë drejtuese gjatë qeverisjes së VV-së në Prizren, si drejtoreshë e shëndetësisë.

I pyetur në një konferencë për media për këtë çështje, Ministri Vitia pati thënë se Arënliu – Hoxhaj nuk ka qenë anëtare e LVV-së, por ka qenë drejtoreshë si eksperte.

“Në çdo komunë ku ka qeverisë Lëvizja Vetëvendosje, ne kemi marrë edhe ekspertë përveç përkatësisë partiake. Këtë besoj se e dini edhe ju, besoj që e dinë edhe qytetarët, dhe njësoj dhe zonja Arënliu ka qenë drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit nën mandatin e Lëvizjes Vetëvendosje si eksperte, jo si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje” – kishte thënë ai në shkurt të vitit që shkoi.

Kjo pozitë ai pati thënë se i është kërkuar Arënliu – Hoxhajt si “përgjegjësi e jo si nder”. Dhe siç pati thënë ai, deri në zgjedhjen e drejtorit, u është dashur dikush, që ka aftësi menaxheriale e nuk kanë dashur që të eksperimentojnë me dikë që mund ta rëndonte situatën në ShSKUK.