Lulzim Rafuna: ‘Komandant Fytyrën’ e votuan deputetët jo PDK

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lulzim Rafuna në #DebatPernime tha ‘Komandant Ftyra’ erdhi në krye të Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës pas votimit të emrit të tij në kuvend.

Rafuna u sfidua nga moderatorja e #DebatPernime, Jeta Xharra pasi tha se kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli së bashku me SHBA e BE-në do ta luftojnë korrupsionin.

“Kur ishim te informaliteti padyshim që është e lidhur edhe me korrupsionin, Kryeministri Veseli e ka planin konkret kundër korrupsionit është plan 7 pikësh, plan që do të bëhet në bashkëpunim me SHBA dhe BE, e para është themelimi i byrosë anti-korrupsion, futja e ligjit kundër nepotizmit, fillimi i zbatimit të vetingut në drejtësi dhe polici, hapi i katërt themelimi i fondit për konfiskime, themelimi i komisionit parlamentar kundër korrupsionit që do të udhëhiqet nga opozita”, tha ai.

Xharra iu kundërpërgjigj duke i thënë se Ambasada amerikane, gjermane dhe ajo britanike i kanë reaguar votimit të ‘Komandant Fytyrës’ në krye të Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës.

‘Nuk e kemi qit na e kanë qit deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk është vetëm PDK në Kuvend të Kosovës pasi është votu”, tha Rafuna.

Kujtojmë se në mars të këtij viti Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Ish-ushtari i zv.kryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, është zgjedhur drejtor i Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, përkundër faktit se kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet (nuk është i emërueshëm) për këtë pozitë.

Naser Shala, i njohur gjatë luftës me nofkën “Ftyra” është zgjedhur në këtë pozitë me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën e 28 shkurtit.

Zgjedhja e “Ftyrës” në krye të kësaj Agjencie ishte në kundërshtim me memorandumin që kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari, Kadri Veseli kishin nënshkruar me Ambasadën britanike në Prishtinë.

Në memorandum, Haradinaj e Veseli zotohen se do të marrin parasysh rekomandimet e kompanisë britanike.

Ambasada britanike paguan qindra mijëra euro për t’i ofruar asistencë institucioneve për emërimin e pozitave të larta drejtuese, por këto të fundit nuk po i përfillin rekomandimet e britanikëve.

BDO-ja kishte vlerësuar se vetëm Florije Kika ishte e emërueshme, gjegjësisht i plotësonte kushtet për të drejtuar këtë Agjenci shumë të rëndësishme për Kosovën.

Në gusht të këtij viti Ambasada Amerikane me anë të një postimi në Tëitter kishte bërë të ditur se SHBA ka dhënë dorëheqje nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Shuplakë PAN-it, amerikanët largohen nga Agjensioni i Pronës shkaku i komandant ‘Ftyrës’

Ambasadori Kosnett kërkon dorëheqjen e Naser Shalës nga Agjencia e Pronës

Rruga e ‘Ftyrës’ deri te pushteti mbi tapitë

O’Connell: Nepotizmi e korrupsioni do ta shkatërrojnë Kosovën

 

Në ciklin e #DebatPernime përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë:  Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma/AKR/PD, Magbule Shkodra dhe Bajram Hasani nga koalicioni AAK/PSD, Besa Gaxherri nga LDK, Hekuran Murati dhe Yllza Hoti nga VV, Lulzim Rafuna nga PDK, Asllan Kryeziu dhe Kenan Aliu nga PDAK

Debati transmetohet dhjetë ditë fushatë zyrtare nga ora 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.