Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë

O'Connell: Nepotizmi e korrupsioni do ta shkatërrojnë Kosovën

Pas dorëheqjes së SHBA-së nga Bordi i Agjencisë për Verifikimin dhe Krahasimin e Pronës, ka reaguar ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell.

Ai ka shkruar se kishte dhënë dorëheqje nga bordi i kësaj Agjencie kur Kuvendi i Kosovës kishte emëruar Naser Shalën në krye të saj, të cilin O’Connell e ka vlerësuar si të pakualifikuar dhe të paaftë.

“Kam dhënë dorëheqje nga bordi i Agjencisë së Pronës, kur Kuvendi i Kosovës emëroi Naser Shalën, të pakualifikuar dhe të paaftë si kryetar të saj, vetëm për shkak të lidhjeve të tij me deputetët që nga koha e tij në UÇK. Kuvendi injoroi një kandidat të kualifikuar i cili nuk i kishte këto lidhje. Tani SHBA ka ndjekur hapat tanë”, ka shkruar O’Connell.

Sipas tij, korrupsioni, nepotizmi dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën.

“Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën tonë duke u përpjekur që të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvendin e Kosovës nuk kujdeset për këtë, dhe kur individët nuk ndjejnë turp për të marrë punë në mënyrë të padrejtë e të cilën ata nuk mund të bëjnë siç duhet. Nepotizmi, kronizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po ftohet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, ka thënë O’Connell.

KALLXO.com raportoi më herët për dorëheqjen e SHBA-ve nga Agjencia e Pronës.

Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, para një jave, kishte kërkuar dorëheqjen e Naser Shalës, i cili është në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Sot, Kosnett, përmes një postimit në Twitter ka bërë të ditur se SHBA ka dhënë dorëheqje nga kjo Agjenci, ashtu siç ka bërë Britania e Madhe në momentin që Shala, i njohur si Komandant ‘Ftyra’ ishte zgjedhur në këtë pozitë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Largimi i amerikanëve nga kjo agjensi vjen në ditët kur dy nga drejtuesit e PAN-it, Kadri Veseli i  PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, janë vënë në lëvizje me takime në të cilat po flasin për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit.

“SHBA kanë dhënë dorëheqje nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës siç ka bërë edhe Britania e Madhe më parë. Nuk mund të vazhdojmë aty ku lidershipi u shërben interesave personale e politike, e jo njerëzve”, ka shkruar ambasadori Kosnett.