Haki Abazi shpalos planin e VV-së për krijimin e vendeve të reja të punës

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Haki Abazi, i pyetur në Debat Pernime për planin e tyre qeverisës lidhur me gjenerimin e vendeve të punës, mes tjerash tha së duhet të hiqet monopoli.

Sipas tij, çështja e krijimit të vendeve të reja të punës ka dështuar për shkak së politikanët janë bërë biznesmen.

“Mendoj së çështja kryesore në 20 vitet e fundit ku është dështuar plotësisht në krijimin e vendeve të reja të punës për shkak së politikanët janë bërë biznesmen, deficiti tregtar nuk është ataku asnjëherë. Ne blejmë 9 dhe shesim një dhe ajo një blehet me një çmim të lartë në tregjet perëndimore dhe e shesim për skrap apo metal. Politikat zhvillimore qeveritare nuk kanë qenë të drejtuar drejtë krijimit të gjenerimit të vendeve të reja të punës e as mekanizmave e për kundrazi të gjitha mekanizmat janë përdorë në formë për të përfituar politikanët që kanë qenë biznesmen e kanë krijuar monopol”, tha ai.

Abazi ka numëruar disa nga çështjet që duhet ndryshuar sa i përket rritjes së punësimit dhe stabilitetit ekonomik.

“Heqja e monopoleve, krijimi i bankës zhvillimore, fondi sovran i cili në mënyrë transparente subvencionon bujqësinë, vendet e reja të punës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat nuk duhet në asnjë formë të detyrohen nga ministritë të subkoordinohen, por duhet që në mënyrë inovative të krijojnë vende të reja të punës”, tha Abazi.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com