Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

Shuplakë PAN-it, amerikanët largohen nga Agjensioni i Pronës shkaku i komandant 'Ftyrës'

Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, para një jave, kishte kërkuar dorëheqjen e Naser Shalës, i cili është në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Sot, Kosnett, përmes një postimit në Twitter ka bërë të ditur se SHBA ka dhënë dorëheqje nga kjo Agjenci, ashtu siç ka bërë Britania e Madhe në momentin që Shala, i njohur si Komandant ‘Ftyra’ ishte zgjedhur në këtë pozitë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Largimi i amerikanëve nga kjo agjensi vjen në ditët kur dy nga drejtuesit e PAN-it, Kadri Veseli i  PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, janë vënë në lëvizje me takime në të cilat po flasin për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit.

“SHBA kanë dhënë dorëheqje nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës siç ka bërë edhe Britania e Madhe më parë. Nuk mund të vazhdojmë aty ku lidershipi u shërben interesave personale e politike, e jo njerëzve”, ka shkruar Kosnett.

 

Sipas tij “përzgjedhja e miqve të pakualifikuar për pozita qeveritare e dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e publikut”.

Gjatë javës së kaluar Kosnett kishte deklaruar se qëndrimi i Shalës në krye të Agjencisë, po minon besimin e qytetarëve.

“I pakualifikuari Naser Shala vazhdon të qëndrojë në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, duke minuar kështu besimin e qytetarëve në seleksionet bazuar në meritë (për punësim). Hapi i ndershëm për të gjithë të pakualifikuarit e emëruar është dorëheqja”, kishte shkruar Kosnett.

Ai kishte shtuar se tani është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i dhënë fund korrupsionit dhe nepotizmit.

Gazeta Jeta në Kosovë, kishte raportuar se si ish-ushtari i zv.kryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, Naser Shala është zgjedhur drejtor i Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, përkundër faktit se kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet (nuk është i emërueshëm) për këtë pozitë.

Pas raportimeve, kishte reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett, i cili në një postim në profilin e tij në Twitter, u shpreh i zhgënjyer me vendimin e 50 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.