Daut Haradinaj: AAK do t'i ulë taksat

Daut Haradinaj, kandidat i AAK-së për deputet, në DebatPernime, ka thënë që partia e tij në planin për gjenerimin e vendeve të punës do të formoj fondin për punësim.

“Fondi për punësim dhe zhvillim që parashihet të krijohet qysh në vitin  e parë të qeverisë, një fond i cili shton një vlerë prej 300 milion, është eliminimi i barrierave. Kemi mendu që të hapet zyra për ankesa për qytetarët pranë ATK-së dhe kemi menduar që të ketë zona të lira ekonomike, sikurse është rasti në hyrje të Prizrenit, në hyrje të Gjakovës dhe poashtu në të gjitha qytetet e mëdha”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka premtuar lehtësira edhe për ndërmarrësit që marrin punëtorë të rinjë në punë.

“Për çdo punësim taksa të jetë zero ndërsa ai që punëson një të ri ose të re, taksën ekzistuese ta ulim në 4 për qind, në vit”, ka thënë ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.