Foto: Facebook/NIsma Socialdemokrate

Limaj në Malishevë premton mbylljen e dialogut me Serbinë

Koalicioni parazgjedhor Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Malishevës.

Kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Fatmir Limaj, ka premtuar mbështetje për qytetarët e Kosovës.

“Ashtu si është Llapusha edhe unë jam munduar që virtytet e njerëzve të mirë të këtij rajoni, jam munduar që edukatën e prindërve, edukatën e odave tona, pleqnarëve tonë ta përkthejë edhe në sjellje politike”, shtoi ai.

Kandidati për kryeministër premtoi edhe mbylljen e dialogut me Serbinë.

“Do ta mbyllim dialogun me Serbinë. Në tavolina të tilla nuk ka forcë dhe nuk ka çmim që mund të ma sjell një marrëveshje përveç se marrëveshje e cila Kosova del fituese nga ajo marrëveshje politike”, u shpreh ai.

Limaj premtoi investime edhe në bujqësi.

“Këto katër vjet, nuk ka mu njoftë bujqësia pas katër viteve, ka me qenë sikur që janë sot rrugët e Kosovës. Paketa sociale do të implementohet deri në fund”, premtoi ai.

Limaj as në këtë tubim nuk i kurseu kritikat për kundërshtarët politikë.

“E kam pa që do janë tu hup fell. Iu kanë kthy zanatit të vjetër me rrejt e me mashtru. Kjo ka përfunduar, qytetarët duan zgjidhje tjetër, duan njerëz që kryejnë punë. Tashmë krejt Kosova e din që ne kur e japim fjalën e bëjmë marrëveshjen i qëndrojmë marrëveshjeve dhe nuk i lëmë njerëzit në rrugë, as nuk i befasojmë.”, tha Limaj në Malishevë.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi tha se me 6 tetor është dita kur sovrani duhet të bëhet bashkë për shtetin e qeverisur në interes të qytetarëve.

“Po kërkoj nga ju që edhe kësaj radhe t’u jepni pushtetit, jo për të qeverisur me shtetin por për të sunduar me qytetarët  e Kosovës. Vota juaj duhet të jetë ata që do të qeverisin me qytetarët dhe republikën e Kosovës.  Jam i bindur se ata që në të kaluarën nuk e mbajtën fjalën, nuk do ta mbajnë as në të ardhmen. Qytetarit duhet t’i thonë jo mashtrimit, si mashtrimit të djeshëm ashtu edhe mashtruesit të sotëm”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, kryetari i Degës së Nismës Socialdemokrate në Malishevë, Ragip Begaj premtoi besnikëri dhe sakrificë për qytetarët.

“Është shumë e lehtë kur i kemi këta qytetarë pas vetes dhe këto struktura pas vetes. Jam shumë mirënjohës për gjithë përkrahjen që na e keni dhënë që nga viti 2013.  Do të jemi besnik ndaj qytetarëve tanë për arsye se ata janë besnik ndaj neve. Ia kemi borxh këtij vendi me i shërby ashtu si duhet. Do të sakrifikohemi përherë për juve”, theksoi Begaj.