VV: PDK-ja po pengon procesin e denoncimit të Serbisë për krimet e luftës në Kosovë

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Saranda Bogujevci kanë kërkuar që Partia Demokratike e Kosovës të mos vazhdojë të pengojë punën që po tentohet të bëhet, për denoncimin e shtetit të Serbisë për krimet e luftës në Kosovë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se pas iniciativës për harmonizimin e një rezolute për gjenocidin serb në Kosovë, dy përfaqësues të PDK-së patën ide të ndryshme rreth kësaj çështje.

Kryeparlamentari Kadri Veseli kishte kërkuar që përmes homologëve të tij, të miratohen rezoluta përmes të cilave do të kërkohej njohja e shtetit serb si shkaktar të krimeve kundër njerëzimit, ndërsa iniciativa tjetër nga zëvëndëskryeminsitri Enver Hoxhaj dhe Ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri kundër mohimit të krimeve të kryera në Kosovë.

Kurteshi tha se këto janë përpjekje për të mashtruar publikun me gjoja angazhimin e PDK-së dhe qeverisë në lidhje me krimet e luftës.

“Këto po bëhen për të shpëtuar nga Gjykata Speciale. Së pari është mohimi i luftës clirimtare të Kosovës në Kushtetutën e Kosovës. Mospërfshirja e temës së krimeve të luftës në dialogun me Serbinë kur kurrë në asnjë rast nuk e kanë përmendur. Enver Hoxhaj në rolin e ministrit të Jashtëm kurrë nuk e ka përmendur ansjë rast të krimeve të luftës në Kosovë. Këtë nuk e kanë bërë as në tekstet shkollore për të treguar krimet që janë bërë në Kosovë. Nuk e kanë përmendur as trupat e kosovarëve që ende nuk janë gjetur. Nuk e kanë bërë asnjë denoncim për krimet që janë bërë në Kosovë.”, ka thënë Kurteshi.

Tutje ai tha se në vitin 2015, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që të bëhet padi ndaj shtetit të Serbisë dhe kishin marrë nënshkrimet e opozitës për krijimin e një arkivi shtetëror, lidhur me krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë periudhës së luftës.

Mirëpo sipas deputetit Kurteshi, personat e njëjtë ka një vit që e kanë vonuar votimin e Ligjit për Njohjen e Statusit të Dhunës Seksuale në vitin 2013.

“Janë po të njëjtit që kanë votuar Gjykatën Speciale. Janë po të njëjtit që kanë penguar punën deri në shuarje të insitutit të hulumtimeve për krime lufte nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Këta janë duke e penguar edhe votimin e një neni për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.”, deklaroi tutje deputeti.

Ndërkohë, deputetja Saranda Bogujevci theksoi se nuk është hera e parë që zyrtarët serb kanë mohuar krimet e dokumentuara gjatë luftës në Kosovë.

Ajo theksoi se mosndërtimi i mekanizmave shtetërorë për mbrojtje të dëshmitarëve është vetë mohim.

“Mospërmendja e krimeve të luftës në negociata me Serbinë është vetëmohim. Shuarja e insitutit për mbledhjen e të dhënave për krimet e luftës është vetëmohim. Propozimi i kryesuesit Veseli për krijimin e një gjykate për krimet ndaj shqiptarëve është absurditet. Deri kur dikush tjetër duhet të na i kryejë punët tona. Mjaft janë maltretuar dëshmitarët e luftës në gjykata ndërkombëtare. Në proceset gjyqësore që kemi kaluar ne si familje nuk kemi pasur asnjëherë mbështetje nga qeveria.”, ka thënë deputetja.

Më tej Bogujevci ka treguar se në Gjykatën në Hagë asnjë dokument nuk është në gjuhën shqipe, vetëm në gjuhën serbe e kroate.

Sipas saj, arsyeja qëndron tek fakti se Qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar asnjëherë një gjë të tillë.

“ Tek ne janë tre prokurorë që merren me krime të luftës, ndërsa në Bosnje janë 23. Duhet t’i kryejmë detyrat tona brenda vednit që të jemi serioz karshi kërkim llogarisë ndaj Serbisë. Institucionalisht nuk është dokumentuar asgjë edhe pse është përmendur se duhet të dërgojmë padi ndaj Serbisë, por me cka do ta bëjmë këtë kur s’kemi mbledhur dokumentacionet.”, theksoi deputetja Bogujevci.

20 Prill 2019 - 12:08

Liridona Ademaj 20/04/2019 - 12:08
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend