VIDEO - Prangosja e zyrtarit komunal të Gjilanit

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ sonte shfaqi pamje ekskluzive nga prangosja e një zyrtari të Komunës së Gjilanit, i cili po kërkonte dy mijë euro mito.

Emisioni ka siguruar filmime ekskluzive nga momentet kur zyrtari komunal i kishte kërkuar një biznesmeni dy mijë euro për t’i përshpejtuar procedurën e pagesës për një kompensim të një shpronësimi.

Negociatat dhe momentet e transaksioneve të parave janë filmuar nga kamerat e autorizuara nga Prokuroria e Gjilanit. Në filmimet që shfaqen për herë të parë zyrtari komunal shihet duke marrë 2 mijë euro e po ashtu momenti kur Policia ndërhyn dhe arreston të dyshuarin:

Zyrtari policor: A ki naj armë?

Zyrtari komunal: Jo.

Zyrtari Policor: Me çfarë kerri je ardhë?

Zyrtari Komunal: Me taxi.

Zyrtari Policor: Po shkojmë në stacion të policisë.

Në qershor të këtij viti Prokuroria e Gjilanit kishte nisur një hetim për dyshimet për korrupsion nga zyrtarë të kësaj komune. Një qytetar ishte ankuar se një zyrtar i komunës i kishte kërkuar 2 mijë euro mito për t`i lejuar ndarjen e parave që atij i vinin nga shpronësimi i një toke.

Reportazhi i DNK-së sjell dëshmi se si Prokuroria e Shtetit arrin të trajtojë me kohë dhe në mënyrën e duhur një informacion për një rast serioz korrupsioni.

Emisionin e plotë të Drejtësisë në Kosovë, deklaratat e prokurorit Arben Kadriu dhe intervistat me zyrtarët e policisë së krimeve ekonomike, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.