Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Shtatë kontrata nga MASHTI janë vonuar në përfundimin e projekteve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në shtatë kontratat e kontraktuara nga Ministria e Arsimit janë vonuar përfundimet e projekteve, pa aprovim të Autoritetit Kontraktues.

Raporti i Auditorit në këtë rast ka trajtuar 3 nga 7 kontratat të cilat janë vonuar.

Gjetjet janë bërë në kontratat “Ndërtimi i shkollës së mesme profesionale në Ferizaj”, “Ndërtimi i shkollës në Vraniq, Suharekë”, “Ndërtimi i Fakultetit të Arteve faza III”.

Në këto tri kontrata kishte vonesa në përfundimin e punëve në krahasim me afatin i cili ishte përcaktuar në fillim të kontratës.

“Gjatë testimit të pagesës në vlerë 20,866€ sipas kontratës “Ndërtimi i shkollës së mesme profesionale në Ferizaj” në vlerë 665,442€, kemi vërejtur se afati për përfundimin e punëve/kontratës ishte në korrik 2020, mirëpo punët në këtë projekt ende nuk kishin përfunduar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ndërsa në kontratën  “Ndërtimi i Fakultetit të Arteve faza III”, e cila ishte në vlerë 634 mijë e 895 euro në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë afati për përfundim ishte në dhjetor të vitit 2019, kurse punët në situacion përfundimtar ishin bërë në muajin nëntor të vitit 2020.

Tutje është bërë e ditur se vonesat në punime ishin bërë për shkak të vonimit të lëshimit të lejeve.

“Sipas menaxherit të projektit, vonesat në punime kishin ndodhur si pasojë e vonesave në lëshimin e lejes së ndërtimit, ndërsa në vitin 2020 për shkak të pandemisë, dhe se nuk kishin qenë të informuar se zgjatja e afatit të ekzekutimit të punimeve/kontratës, duhet të aprovohet nga AK përmes dokumenteve përkatëse”.