Shtetet baltike i ndalojnë automjetet me targa ruse në përputhje me interpretimin e sanksioneve të BE-së

Estonia, Letonia dhe Lituania e kanë ndaluar hyrjen e automjeteve me targa ruse në territorin e tyre, një veprim i përbashkët në përputhje me një interpretim të fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës zyrtare për luftën e saj kundër Ukrainës.

Estonia e mori këtë vendim të mërkurën në mëngjes, duke përputhur veprime të ngjashme nga fqinjët jugorë Letonia dhe Lituania në fillim të javës. Ministria e Brendshme e Estonisë tha se vendimi i vendeve baltike – të cilat janë të gjitha anëtarë të NATO-s që kufizohen me Rusinë – pasoi “interpretimin shtesë të sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse të publikuar nga Komisioni Evropian” më 8 shtator.

Sipas vendimit të BE-së, mjetet motorike të regjistruara në Federatën Ruse nuk lejohen më të hyjnë në territorin e bllokut 27 anëtarësh të BE-së, duke përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë. Shtetet baltike janë ndër kritikët më të zëshëm evropianë të Rusisë dhe Presidentit Vladimir Putin.

“Qëllimi i sanksioneve kundër Rusisë është ta detyrojnë vendin agresor të tërhiqet në kufijtë e tij”, tha në një deklaratë ministri i Brendshëm estonez Lauri Läänemets.

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, i kryesuar nga Presidenti Vladimir Putin, të martën e denoncoi veprimin e Komisionit Evropian si “racist”. Ai sugjeroi se Moska mund të hakmerret duke i pezulluar marrëdhëniet diplomatike me BE-në dhe duke i tërhequr diplomatët e saj nga Brukseli.

Duke reaguar ndaj vendimit të Estonisë të mërkurën, Andrei Klishas, kreu i komitetit të legjislacionit kushtetues në dhomën e lartë të parlamentit rus, tha se Rusia duhet të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

“Vetëm kufizimet hakmarrëse që pasqyrojnë atë (ndalim) mund të çojnë në heqjen e këtyre ‘rregullave’ të BE-së”, tha ai.

Shërbimi Federal i Doganave të Rusisë raportoi të mërkurën se automjeti i parë që tentoi të hynte në Estoni me targa ruse u kthye në një pikë kalimi në qytetin lindor të Estonisë Narva në kufirin me Rusinë. Deklarata online e shërbimit nuk specifikoi nëse ishte një kamion apo një automjet pasagjerësh.

Ndalimi i hyrjes me një mjet motorik zbatohet pavarësisht nga arsyeja e qëndrimit të pronarit ose përdoruesit të tij në Estoni ose BE. Ndalimi nuk zbatohet për automjetet e destinuara për përdorim të misioneve diplomatike dhe konsullore të BE-së dhe shteteve të saj anëtare, duke përfshirë delegacionet, ambasadat dhe misionet.

Gjithashtu, automjetet me targa të Federatës Ruse lejohen të largohen nga Estonia ose të kalojnë kufijtë e brendshëm të BE-së, tha ministria e brendshme. E njëjta gjë vlen edhe për Letoninë dhe Lituaninë.

“Ne nuk mund të lejojmë që qytetarët e një shteti agresor t’i gëzojnë përfitimet e ofruara nga liria dhe demokracia, ndërkohë që Rusia po e vazhdon gjenocidin e saj në Ukrainë”, ka deklaruar në një deklaratë ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna.

Tsahkna deklaron se qeveria e Estonisë do të diskutojë të enjten se çfarë të bëjë me automjetet e regjistruara në Rusi tashmë në vend.

Agjencia doganore e Lituanisë, e cila kufizohet me enklavën e Kaliningradit të Rusisë, ka thënë të mërkurën se i ka kthyer 36 automjete me targa ruse nga kufiri në 48 orët e fundit.

Qytetarët rusë janë në gjendje ta vazhdojnë tranzitin përmes Lituanisë drejt dhe nga Kaliningrad me tren./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala