Hapet Konsullata e Nderit e Letonisë në Kosovë. Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Hapet konsullata e Letonisë në Kosovë

Marrëdhëniet e mira shtetërore Letoni- Kosovë janë kurorëzuar me një Konsullatë të Nderit në Kosovë.

Përgjatë ceremonisë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla Schwarz, theksoi rëndësinë e hapjes të këtij institucioni në Kosovë.

Ajo vlerësoi rolin e vazhdueshëm mbështetës të Letonisë në proceset e shtet-ndërtimit të Kosovës, ashtu si edhe aspiratave të integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Ambasadorja jorezidente e Letonisë, Elita Kuzma dhe Konsulli i Nderit i Republikës së Letonisë në Republikën e Kosovës Ardian Hoxha, ka njoftuar MPJD.

Gërvalla tha që rritja e mëtejme e bashkëpunimit dypalësh në mes dy vendeve dhe në të gjitha fushat e interesit të përbashkët është synim i vazhdueshëm.

Letonia e ka njohur shtetësinë e Kosovës tri ditë pas shpalljes së Pavarësisë, përkatësisht më 20 shkurt 2008.

Vitin e kaluar për herë të parë një president i Letonisë kishte vizituar zyrtarisht Kosovën.

Presidenti i Letonisë Egils Levits kishte shprehur përkrahjen ndaj Kosovës, duke thënë që Kosova i përket Këshillit të Evropës dhe mirëpret anëtarësimin e saj. Sipas tij, Kosova dhe vendi i tij ka histori të ngjashme dhe se i kuptojnë aspiratat e Kosovës.

“Është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe, dhe tani mendoj që është koha e mirë, varet nga NATO. Vendi jonë është duke përkrahur këtë hap. Kosova i përket Këshillit të Evropës sepse është një shtet demokratik që bazohet në sundimin e ligjit dhe në do të mirëpresim anëtarësimin”- kishte thënë ai.

Ndërkaq në vitin 2021, ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kishte nënshkruar me Letoninë marrëveshje bilaterale për bashkëpunim ushtarak në funksion të sigurisë kontinentale dhe më gjerë.