Qeveria: Mirënjohje e Përjetshme për Amerikën

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë dhe dënon ashpër përpjekjet e ulëta për linçim publik, iniciativat denigruese me adresa të dyshimta dhe ofendimet ndaj personalitetit të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut të popullit të Kosovës, Greg Delawie,” thuhet në reagimin qeveritar.

Ekzekutivi i vendit vlerëson punën e ambasadorit Delawie.

“Qeveria e Kosovës shpreh vlerësimet dhe falënderimet më të sinqerta për ambasadorin Greg Delawie, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe për avancimin e perspektivës euroatlantike e të demokracisë në Kosovë,” thuhet më tutje në reagim.

Qeveria thotë se po angazhohet për thellimin e miqësisë mes dy vendeve

“Qeveria e Kosovës thekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të miqësisë, të bashkëpunimit bilateral dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh të Republikës së Kosovës në botë,” vijon reagimi.

Qeveria shton se “Republika e Kosovës do t’i jetë përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj”.