Ndërtesa e Qeverisë

Qeveria e Kënaqur me Raportin për Demarkacionin

Qeveria e Kosovës përshëndeti raportin e publikuar nga tre ekspertët e huaj rreth procesit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi i cili i është dorëzuar sot Presidentes së vendit, Atifete Jahjaga.

Në deklaratën e lëshuar pak pasi u publikua raporti, qeveria thotë se ky raport konfirmon se Kosova “nuk ka falur tokë” siç ka pretenduar blloku opozitar që nga nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacion në gusht të vitit të kaluar.

“Thënë përmbledhtazi ne jemi të kënaqur me faktin se ekspertët e këtij Komisioni, nuk kanë gjetur shkelje në demarkacion. Kështu ky Komision rikonfirmon atë që është konfirmuar edhe më herët se, me shënimin e vijës kufitare, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, Kosova, as nuk ka humbur as nuk ka falur tokë”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Përveç qartësimit brenda vendit, qeveria thotë se ky raport do t’i hapë rrugën edhe një procesi tjetër i cili vendoset në Bruksel.

“Vlerësojmë se kjo është një arritje e qëndrueshme në drejtim të plotësimit të një kushti shumë të rëndësishëm për liberalizimin e vizave dhe si e tillë do të paraqet një hap të rëndësishëm e kualitativ në rrugëtimin tonë drejtë integrimeve evropiane”, thuhet në deklaratën e qeverisë.