Promovohet libri me rrëfimet e familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë

Rrëfime tronditëse të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës janë prezantuar të premten, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Këto rrëfime të përmbledhura në monografinë “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” janë shpalosur gjatë promovimit të këtij libri.

Dhjetë rrëfime personale të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovës janë përmbledhur në monografinë “Të jetosh me kujtimin e të pagjeturve”, botuar nga forumZFD, Integra, QBPZH, BMZ, RBF dhe Ambasada Zvicerane.

Që nga përfundimi i luftës çështja personave të pagjetur mbetet një prej plagëve të dhimbshme të mbetura nga Lufta e fundit në Kosovës. Aktualisht janë  1653 persona të pagjetur në Kosovë.

Organizatorët e këtij promovimi thanë se qëllimi i këtij promovimi është sensibilizimi për të shtyrë në radhë të parë institucionet përgjegjëse, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e Kosovës.

Gjatë diskutimeve me rastin e këtij promovimi u tha se fati i pagjeturve është politizuar skajshmërish dhe ka pak vullnet nga qeveritë përkatëse, qoftë ajo në Serbi apo Kosovë, që të merren me këtë çështje.

Jelena Krstić, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi tha se Qeveria e Serbisë po bën pak për të zbardhur fatin e të pagjeturve nga lufta e Kosovës.

Madje, sipas saj, viteve të fundit qeveria serbe po pamundëson edhe informata, sidomos nga arkiva e policisë dhe ushtrisë serbe.

“Duhet të hulumtohen ato arkiva pasi falë tyre u bë i mundur zbulimi i varrezave masive me shqiptarë të vrarë gjate luftës. Po kjo, po pamundësohet me veprimet e qeverisë e cila po bllokon qasje në to duke i shpallur si sekrete”, ka thënë ajo, duke potencuar se në Serbi nuk ka vullnet për kërkimfalje për krimet e luftës .

Ndërsa, Fabien Bourdier, drejtor Rajonal i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, duke folur për punën që po bëhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e Kosovës, ka pohuar se çalimet për këtë çështje po vijnë, sepse nuk ka zhvarrime dhe identifikime.

“Kur ka zhvarrime ka edhe identifikime, natyrisht se ka edhe një përgjigje për familjarët e të pagjeturve”, ka thënë Bourdier.

Ai ka folur edhe për përpjekjet që janë duke u bërë nga grupet punuese të caktuara për të ndjekur çështjen e të pagjeturve në Kosovë.

Nita Luci, antropologe dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, ka sjellë përvojën e saj me ballafaqimin me rrëfimet e familjarëve të të pagjeturve dhe ka thënë se ende mbetet shumë për t’u bërë për familjarët e të pagjeturve dhe familjarët e tyre.

“Ballafaqimi me rrëfimet e familjarëve të të pagjeturve na bëri të ditur se përveç drejtësi, kërkohet që njihet dhe dëgjohet edhe përvoja, gjuha, praktika, përditshmëria e atyre njerëzve”, ka thënë antropologia Luci.

Kurse, Nora Ahmetaj, eksperte për Drejtësinë Tranzicionale, ka pohuar se nuk po bëhet sa duhet për personat e zhdukur dhe familjarët e tyre.

“Familjarët e të pagjeturve janë të lënë pasdore nga institucionet në shumë aspekte, sidomos gratë. Në duhet të jeni të qartë për ta thënë të vërtetën sa më urgjent, sidomos për të ndihmuar familjarët të të personave të pagjetur”, ka thënë ndër të tjerash ajo.

Monografia  “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” shpalos rrëfimet e 10 familjeve me rreth 33 anëtarë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Nga familjet e intervistuara për këtë libër, 7 janë shqiptare dhe 3 serbe.

Kjo ngjarje organizohet në kuadër të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!” në Kosovë.