Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Në takimin e 2 majit pres që çështja e të pagjeturve të trajtohet me urgjencë ashtu si jemi dakorduar në Ohër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përderisa ka bërë homazhe në nderim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës ka folur edhe për pritshmëritë e tij për takimin të 2 majit në Bruksel.

Kurti ka thënë se ashtu siç janë dakorduar më 18 mars në Ohër, çështja e të pagjeturve të trajtohet me urgjencë.

“Në aneksin për zbatim të Ohrit të 18 marsit kemi thënë se është çështje urgjente çështja e të pagjeturve. Unë pres që ashtu pra me urgjencë të trajtohet në takimin e 2 majit çështja e të pagjeturve e cila nuk i ka viktimë vetëm të pagjeturit por edhe familjet e tyre meqenëse pikërisht të pagjeturit janë një situatë e veçantë ku ankthi është më i  madh se pikëllimi, zemërimi është edhe më i madh se vajtimi” – tha Kurti.

“Pres që me datën 2 maj nga ndërmjetësit evropianë, siç e kemi thënë në Ohër me 18 mars të trajtojmë me urgjencë këtë çështje”- shtoi ai.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për aneksin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Në atë aneks, çështja e të pagjeturve thuhej se “Palët bien dakord të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”.

Ndërkaq, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se më 2 maj në Bruksel pjesë e agjendës në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të jetë edhe draft-statuti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak ka shkruar në Facebook, se mes tjerash agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të deklaratës për personat e zhdukur dhe çështjet aktuale.