Prizren: Vdekja e punëtorit në fabrikën e stiroporit, prokuroria akuzon pronarin

Prokuroria e Prizrenit pretendon se pronari i fabrikës së stiroporit në Lubizhdë të Prizrenit është përgjegjës për vdekjen e punonjësit të kompanisë.

Sipas prokurorisë me datë 30 qershor 2018 në këtë fabrikë kishte humbur jetën punonjësi sezonal S.A. ndërsa vdekja kishte ardhur për shkak se makineritë nuk e kishin mbrojtjen e duhur.

Prokuroria në një njoftim të saj ka sqaruar se i ndjeri ishte duke punuar në makinën për riciklimin e mbeturinave të stiroporit pa pasur trajnimin e duhur si funksionon makineria.

Aktakuza sqaron se  punonjësi kishte tentuar ta hedhë një thes në këtë makinë kur ishte tërhequr nga makina shtypja e së cilës kishte rezultuar fatale për punonjësin.

“Në këtë mënyrë, i akuzuari A.B., si person juridik dhe si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 7 të KPRK-së “thuhet në njoftimin e prokurorisë.