Familjarët hapin të pamen për e V. Behramin - 23.04.2019

28 vjeçari Visar Behrami i cili vdiq nga shembja e hotelit varroset sot

Familjarët e 28 vjeçarit Visar Behrami, i cili vdiq dje në Mitrovicë kanë hapur sot të pamen në fshatin Suhodoll të Mitrovicës.

KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës së sotme në shtëpinë ku po mbahet e pamja për Behramin.

Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit të viktimës do të mbahet sot në orën 16:30 në fshatin Vidimriq të Mitrovicës.

Sipas familjarëve, viktima nuk kishte kontratë pune, dhe se tek personi i ndaluar si punëkryers punonte kohë pas kohe, dhe se nuk ka pas kontratë pune.

Sipas tyre, viktima ka punuar në këto kushte për të mbajtur familjen e tij.

Visar Behrami, 28 vjeçar vdiq dje si pasojë e lëndimeve që pësoi nga shembja e një pjese të mureve të ish-hotelit ‘Adriatiku’ në Mitrovicë.

Në kohën kur ka ndodhur shembja viktima dhe tre punëtorë të tjerë ndodheshin duke punuar në këtë objekt, ku si pasojë e shembjes viktima kishte mbetur nën rrënoja.

Pas më shumë se tetë orëve kërkim, ekipet e FSK-së dhe njësitet emergjente, rreth orës 00:10 kanë arritur të nxjerrin viktimën nën rrënoja.

Në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, njëri në cilësinë e punëdhënësit dhe njëri në cilësinë e punëkryesit, ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjatë ditës së sotme, për vdekjen e 28 vjeçarit ka mbajtur konferencë nënkryetari i komunës se Mitrovicës, Faruk Mujka, i cili ka njoftuar se komuna ka formuar një komision për këtë rast.

“Me siguri se është një ngjarje e rëndë për të gjithë komunën dhe gjithë qytetarët e Mitrovicës. Ne sot herët e kemi themeluar një komision nga zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit, Inspekcioni dhe emergjencave të cilët duhet ta verifikojnë gjendjen faktike në terren sot dhe pastaj të dalin me konkluzion se cilët hapa duhet të ndërmerr komuna e Mitrovicës”, ka thënë Mujka.

Ai ka shtuar se raporti i këtij komisioni do t`i dërgohet edhe prokurorisë dhe policisë.

“Ky objekt është privatizuar më vitin 2005 dhe deri me tani ka qenë pothuajse jo funksional, ne dje në mënyrë jozyrtare kemi marr vesh se punimet kanë filluar të dielën dhe të hënën gjatë ditëve të pushimit. Nuk ka asnjë kërkesë apo leje në Drejtorinë e Urbanizmit. Ju e dini që pa marr parasysh a është pronë private apo jo  duhet të pajiset me leje. Asnjë kërkesë nuk ka as nga huadhënësi as nga punëkryesi”, ka thënë Mujka.