Punëtor në sektorin e ndërtimit. Foto Ilustruese. Geri Emiri/ BIRN

U arrestua për vdekjen e punëtorit në vendin e punës, gjykata zbut masën ndaj kreut të Dhomës së Tregtisë

Gjykata e Lezhës zbuti të enjten masën e sigurisë ndaj Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Pashk Palokaj, i cili u arrestua tre ditë më parë nga Policia e Lezhës, me akuzat e shkeljes së rregullave të sigurisë në punë me pasojë vdekjen e një punëtori dhe punësim të paligjshëm dhe drejtueses së punimeve Manuela Lala. Palokaj u la nga gjykata me masë sigurie “arrest në shtëpi”, ndërsa ndaj lalës u vendos vetëm “detyrim paraqitjeje”.

Paloka u arrestua me kërkesë të prokurorisë së Lezhës, për aksidentin e ndodhur në qershor 2019 në kantierin e ndërtimit të kompanisë së tij “Malvini Shpk”, në të cilin humbi jetën prej rënies nga lartësia punëtori Martin Shquti, baba i dy fëmijëve. Ai akuzohet se kantieri i kompanisë së tij nuk kishte masa të sigurisë dhe se punonjësit ishin punësuar në të zezë.

Por në seancën gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurisë, pavarësisht kërkesës së prokurorisë që i ndaluari të mbahej në burg, gjykata vendosi ta lërë me masë sigurie “arrest shtëpie” biznesmenin Palokaj. Gjykata e argumentoi vendimin duke thënë se mbajtja në burg nuk i përgjigjej rëndësisë së faktit.

Ndërkohë avokati mbrojtës kërkoi që Paloka të hetohej në gjendje të lirë dhe për këtë pritet t’i drejtohen Gjykatës së Apelit në Shkodër. Gjykata e Lezhës ndryshoi edhe masën e sigurisë për drejtuesen e punimeve Manuela Lala. Ndaj saj u vendos masa “detyrim paraqitje” një herë në muaj në policinë gjyqësore, nga “arrest shtëpie” që ishte vendosur më parë.

Vendimi i gjykatës për të liruar Palokajn u përshëndet edhe nga Dhoma e Tregtisë në Lezhë. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook Dhoma, që drejtohet nga Palokaj shprehet se ky ishte “një hap i parë”, ndërsa priste që Paloka të shpallej i pafajshëm. “Ky institucion siç ia përcakton dhe ligji do jetë në krah të çdo biznesi që operon në Qarkun Lezhë, pavarësisht në është i madh apo i vogël”, thuhej në reagim.

Një raport i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH mbi aksidentin e ndodhur në kantierin e kompanisë “Malvini Shpk” në 8 korrik 2019, tregon se kompania ishte gjetur me disa shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe ishte gjobitur me 180 mijë lekë, pas aksidentit me vdekje. Raporti i inspektoriatit po ashtu bën me dije se nga një inspektim 6 javë para aksidentit të 16 qershorit, ishin gjetur shkelje të tjera, por se masat e marra pas këtij inspektimi të parë ishin zhdukur në ditën e aksidentit.

Hetimet e prokurorisë për rastin, sipas prokurorit Kastrati dëshmojnë për neglizhencë në marrjen e masave të sigurisë dhe mungesë të tyre në objekt. Po ashtu, hetimi ka zbuluar edhe mungesë të verifikimit ndaj kompanisë prej institucioneve përgjegjëse, edhe pse në kantier kishte pasur inspektime.

Martin Shquti është një nga 30 viktimat e aksidenteve me vdekje në vendin e punës gjatë vitit të kaluar. Pjesa më e madhe ishin në sektorin e ndërtimit, ku sipas një investigimi të mëparshëm të BIRN, faji për aksidentet u mbetej përgjithësisht punëtorëve, ndërsa kompanitë shpëtonin me gjoba minimale. (reporter.al)