Aktakuzë për vrasje në tentativë në Prizren, i pandehuri në paraburgim

Prokuroria Themelore e Prizrenit të enjten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për vrasje në tentativë të ndodhur në shtator të këtij viti, ku një person kishte marrë lëndime për rrezik për jetën.

Sipas njoftimit të prokurorisë, i pandehuri R. Xh. e kishte goditur në gjoks dhe krahëror me thikë dy herë të dëmtuarin M. B., teksa ky i fundit ishte në veturë, në të cilën kishte pasur edhe dëshmitarë – shokë të të dëmtuarit.

Goditja me thikë kishte vazhduar edhe pasi i dëmtuari kishte dalë nga vetura, duke e sulmuar në pjesë të ndryshme të trupit.

“… derisa i dëmtuari ishte duke lëvizur me veturën e tij, i shoqëruar me shokët e tij – dëshmitarët R. K., E. Xh., A. F., dhe V. S., për një moment i pandehuri R. Xh., i del në rrugë dhe i afrohet veturës nga ana e djathtë nga pasagjeri dhe pasi ndërron disa fjalë me dëshmitarin V. S.,  me të cilin kishte një huadhënie, më pas kalon në pjesën e majtë dhe afrohet tek i dëmtuari i cili ishte drejtues i veturës dhe derisa ky i fundit ndodhej brenda veturës dhe në pozicion të pa mbrojtur, i pandehuri R. Xh., e nxjerr thikën dhe me të njëjtën e godet dy herë në pjesën e gjoksit dhe kraharorit..”- përshkruhet në njoftimin e prokurorisë.

Fillimisht i dëmtuari ishte trajtuar në Repartin Kirurgjik në Spitalin e Prizrenit, pastaj ka vazhduar për trajtim në QKUK-Prishtinë.

Sipas njoftimit, i dëmtuari kishte marrë lëndime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën.

Për këtë, i pandehuri R.Xh gjendet nën masën e paraburgimit, për vrasje të ngelur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.