Pacientit i Ngjitet Gishti i Këputur Plotësisht

Riplantimi i gishtit të një pacienti, operacion që  është kryer para disa ditësh në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është radhitur si një nga sukseset e Klinikës së Kirurgjisë.

Pacienti 45-vjeçar Sabedin Syla, gjatë orarit të punës kishte këputur gishtin me një sharrë elektrike. Disa orë pas aksidentit ai ishte dërguar në QKUK, ku më pas është trajtuar nga ekipi kujdestar në Klinikën e Kirurgjisë.

Drejtori i kësaj Klinike, Hysni Arifi, tha që në vazhdën e arritjeve profesionale në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Konstruktive, dy vitet e fundit kanë pasur një sukses relativisht të madh, duke përfshirë edhe rastin e fundit.

“Ekipi kujdestar para 14 ditëve ka realizuar një intervenim shumë të ndërlikuar. Fjala është për riplantimin e një gishti të këputur dhe është një intervenim që është punuar me anë të mikroskopit operativ”, tha ai.

Ndërsa, Ylber Zejnullahu, kirurgu plastik, i cili ka realizuar operacionin, tha që kohëve të fundit kanë bërë një punë të madhe në zotërimin e teknikave mikro-kirurgjike në qepje të vogla që u bëhen enëve të gjakut me qëllim të rikthimit të gjendjes apo mbulimit të defekteve të ndryshme.

“Rasti në fjalë e ka një veçanti sepse është rasti i parë i gishtit komplet të këputur të cilin ne e kemi trajtuar”, thotë ai.

Kirurgu Zejnullahu thotë që operacioni është realizuar me dëshirën e pacientit, i cili ka insistuar pavarësisht faktit që ne i kemi treguar edhe mundësinë e dytë – që ky operacion mund të mos ketë sukses.

“Pacienti ka pasur dëshirë të madhe që ta shpëtojmë atë gisht edhe përkundër qe kemi tregu që ka rrezikshmëri të madhe që mos të pranohet gjatë operacionit dhe pas operacionit. Dhe sot është dita e 14-të dhe ne deri në ditën e 12-të nuk kemi guxuar që ta bëjmë publike sepse ka raste kur nuk mbijeton gishti”, shpjegon ai.

Ndërkaq, pacienti Sabedin Syla, i cili është nga komuna e Ferizajt, tha që ai është trajtuar në mënyrën e duhur nga ana e mjekëve.

“Faleminderit Zotit dhe gjithë mjekëve të cilët kanë kontribuar për mu, posaçërisht drejtorit e deri te stafi i tij, e falënderoj doktor Ylberin dhe gjithë ekipin e tij që e kanë bërë të pamundshmen të mundur”, tha ai.