Limaj: Qëndrim i Qetë në Shesh

“Ne sot po kalojmë në këtë fazë të një kundërshtimi të përhershëm qytetërues, duke qëndruar në shesh në shenjë proteste deri në largimin e këtij regjimi antikushtetues,” tha Limaj.

Ai tregoi se kjo gjë po ndodh, ngase ekzekutivi nuk po reflekton në pajtim me situatën e krijuar.

“Ky regjim jo që po reflekton, po vazhdon me shtypje, me dhunim, me burgosje dhe me ngrehje zvarrë të deputetëve të opozitës nga parlamenti dhe përjashtimin e tyre,” tha më tutje Limaj.

Ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse ky aktivitet opozitar do të pengohet nga policia.

“Mendoj se nuk është çështje e policisë kjo. Në qoftë se policia na pengon, atëherë e ka urdhrin prej Isës e Hashimit, do me provoku. Përndryshe ju e dini që na nuk befasohemi nga provokimet e tyre, por nuk ka asnjë arsye, sepse i kemi zbatuar të gjitha procedurat,” shpjegoi Limaj.

Ai paralajmëroi qëndrim të qetë në shesh.

“Do të jetë një qëndrim i qetë. Qytetarë të lirë kushdo që dëshiron të solidarizohet me këtë aktivitet”, tha Limaj.

Ai bëri të ditur se ata që do të rrinë në shesh nuk do të pengojnë jetën e përditshme të atyre që nuk do t’i bashkohen opozitës në këtë kundërshtim.