Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

I dyshuari për krime lufte 'u dha 5 minuta afat' banorëve të largohen nga shtëpitë në Klinë

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar paraburgim të dyshuarit SH.G për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Klinë.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është parashtruar nga Prokuroria Speciale dhe sipas kësaj Prokurorie ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri SH.G, nё bashkëkryerje me tё pandehurit M.M, S.M, G.V, N.V, RR.G, H.G, G.G dhe XH.G, me datë 27.03.1999, në lagjen “Tikvesh” në Klinë, kishte marrë pjesë në vrasjen, plagosjen, rrahjen, maltretimin, djegien, plaçkitjen dhe dëbimin e popullatës civile.

Sipas Prokurorisë Speciale i dyshuari bashkërisht me personat e tjerë tё veshur me uniforma policore dhe ushtarake serbe e të armatosur, fillimisht përmes ultimatumit, banorëve të lagjes iu kishin dhënë afat kohor prej 5 minutave për lëshimin e shtëpive të tyre, e pastaj i kishin rrahur, maltretuar e therur me thikë banorët dhe po ashtu djegur shtëpitë e banorëve civil shqiptar, të cilët i kishin dëbuar prej lagjes së tyre.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi Gjykata e Prishtinës ka deklaruar se ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti pas kryerjes së veprës penale për një kohë ka qenë në arrati dhe që nga pas lufta e vitit 1999 nuk ka jetuar në Kosovë.

Po ashtu si shkak tjetër për caktimin e kësaj mase, Gjykata ka konsideruar edhe peshën e veprës penale, andaj sipas Gjykatës po të gjendet në liri i dyshuari, ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën e procedurës penale.

Të dyshuarit i është caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji duke filluar nga data 11.04.2019 deri me datë 11.05.2019.